Telegrafi

Eder: Lojtarët që nuk e duan qëndrimin qind për qind te Interi, duhet të largohen

Getty Images

Eder i ka kritikuar bashkëlojtarët e tij duke thënë se nëse ndonjëri prej tyre nuk e do Interin me gjithë zemër, atëherë duhet ta thotë këtë dhe të largohet.

Futbollisti me origjinë braziliane u inkuadrua nga banka rezervë për ta shënuar një gol në humbjen prej 2-1 nga Sassuolo që ishte humbja e katërt radhazi e zikaltërve.

“Ky është futboll, jemi këtu për ta komentuar një tjetër humbje në një vit kur është dashur të kualifikoheshim në Ligën e Kampionëve. Por, pos që nuk e bëmë këtë, tash jemi jashtë edhe nga Europa League”.

“E kuptoj zhgënjimin e tifozëve, sepse kanë kaluar pesë apo gjashtë vite prej se Interi nuk po arrin në vendet e para. Tifozët e duan shumë ekipin dhe stadiumi u paketua sot, madje me protestë”.

“Ka diçka që nuk po ndryshon këtu, edhe nëse trajnerët dhe lojtarët vijnë dhe shkojnë. Të gjithë duhet të shikojnë në vetvete: ‘Nëse e do Interin, atëherë thuaja këtë klubit. Nëse nuk e do Interin 100 për qind, atëherë është më mirë ta thuash këtë dhe të largohesh’”.

“Interi nuk meriton një tjetër vit si ky. Unë jam gjithmonë i sinqertë dhe jap gjithçka. Kemi nevojë për njerëz që kanë karakter, prandaj nëse nuk ndihen mirë këtu, duhet t’ia thonë këtë klubit. Kemi nevojë për njerëz që e duan qëndrimin këtu 100 për qind”, ishte deklarata e Eder për Inter Channel. /Telegrafi/