Telegrafi

“Economist”: Shqipëria, 3.450 USD për frymë

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, ndër 20 vende të “përtej-perdes së hekurt”, Shqipëria aktualisht renditet e treta, duke lënë pas në këtë parametër vetëm Ukrainën dhe Moldavinë.

Revista “The Economist” publikoi këto ditë analizën e saj me titull “Mure në mendje”, kushtuar ndryshimit të vendeve evropiane që nga viti 1989.

Sipas revistës, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri, pjesëtuar për banor, për vitin në vazhdim është 3.450 dollarë amerikanë. Kjo shifër është më e ulët se niveli i Bosnje-Hercegovinës (4.080 dollarë), Maqedonisë (4.410 dollarë), Malit të Zi (6.510 dollarë). Ndërkohë, listën e mbyllin Moldavia me 1.510 USD dhe Ukraina me 2.520 USD/frymë.

Kjo shifër është shumë më e ulët se niveli i raportuar disa herë, si nga kryeministri Berisha, ashtu edhe nga kryefinancieri Bode, sipas të cilëve, raporti PBB/numër popullsie në Shqipëri është mbi 4 mijë dollarë.

Në vitin 2008, vlerësimi i FMN-së për Shqipërinë ka qenë 3.354 dollarë për frymë, i ndryshëm nga vlerësimi i Bankës Botërore, që e jepte këtë vlerësim në 3.323 dollarë, ndërkohë që për CIA-n shifra ishte 2.950.

Nga ana e tij, Instituti zyrtar shqiptar i Statistikave e ka kaluar këtë nivel, edhe me vlerësimin për vitin 2007. INSTAT-i ka ofruar shifrën më optimiste për sa i përket raportit PBB/numër popullsie gjatë vitit 2007, me 3.465 USD, pra më të lartë, dy vjet më parë, se vlerësimi që bëjnë ndërkombëtarët për këtë vit. /balkanweb/