Telegrafi

Escobar për dialogun Kosovë-Serbi: Të dyja palët janë të barabarta, besojmë se marrëveshje duhet të përqendrohet në njohjen reciproke

Përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe se besojnë që epilogu i këtij dialogu duhet të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen reciproke.

Escobar u shpreh se të dyja palët në këtë dialog si të barabarta duhet të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Nevoja për dialog, kompromis dhe reforma vlen për të gjithë rajonin. Ne e mbështesim fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha diplomati amerikan.

Tutje ai theksoi se marrëveshja gjithëpërfshirëse është diçka për të cilën të dyja vendet kanë nevojë për të ardhmen e tyre evropiane.

“Dialogu është një forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse – për të cilën te dyja vendet kanë nevojë për të ardhmen e tyre evropiane. Ne besojmë se kjo përpjekje duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, u shpreh Escobar.

Në Komitetin e Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Escobar ka folur edhe për shtetet e tjera të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor.

Deklaratën e tij të plotë në anglisht mund ta lexoni në këtë LINK. /Telegrafi/