Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, Eco Guerilla shpalos të dhënat e reja rreth nivelit të ndotjes në qytetin e Tetovës, ku shifrat tregojnë rënie të vazhdueshme të ndotjes pas ndalimit të punës së kombinatit ”Jugohrom”, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në kumtesën e kësaj OJQ-je, mes tjerash thuhet se ”në bazë të matjeve të kryera nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë muajit Mars 2017 Tetova pa Jugohromin ka qenë dukshëm më e pastër krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara kur ky ndotës ka punuar.
Ndotja mesatare me PM10 gjatë muajit Mars 2017 në Tetovë ka qenë 39 μg/m3, ndërsa në vitet e kaluara ndotja ka qenë si vijon:
Mars 2013 – 109.6 μg/m3
Mars 2014 – 118.3 μg/m3
Mars 2015 – 132.6 μg/m3
Mars 2016 – 92.5 μg/m3
Mars 2017 – 39 μg/m3
Ngjashëm si muajt e kaluar, edhe gjatë Marsit 2017 Tetova pa Jugohromin ka qenë një ndër qytetet më pak të ndotura në Maqedoni, krahasuar me vitet e kaluara kur ngjiteshim në pozitat më të larta në Evropë:
1. Kavadar 62.36
2. Rektorat 61.79
3. Kumanovë 61.25
4. Gazi Babë 56.48
5. Lisiçe 49.66
6. Kërçovë 48.43
7. Karposh 47.88
8. Manastir2 47.27
9. Miladinovc 44.64
10. Qendër 44.25
11. Veles 44.08
12. Manastir1 43.21
13. Tetovë 39
14. Koçan 31.95
Nga këtu, Eco Guerilla i kërkon MMJPH dhe Qeverisë së Maqedonisë që të vazhdojë ta mbajë të mbyllur ndotësin ”Jugohrom Ferroalloys” derisa i njëjti nuk ka vendosur filtrat e duhur. Njësoj, i kërkojmë MMJPH që edhe në Tetovë të fillojë me matjen e grimcave PM 2.5 të cilat janë akoma më të rrezikshme se grimcat PM10.
Ndërkohë, Eco Guerilla informon qytetarët se jemi duke punuar me ekspertë juridikë për të nxjerrë ndotësin ”Jugohrom Ferroalloys” para drejtësisë për ndotjen e ajrit që i ka shkaktuar qytetarëve të Tetovës gjatë gjithë kësaj periudhe për ta detyruar të dëmshpërblejë të gjithë të prekurit nga kjo ndotje, dhe për të cilën nuk ka paguar asnjë gjobë.
Njëkohësisht do të parashtrojmë kallëzim penal edhe kundër drejtorit të përgjithshëm të Jugohromit, Vasil Skenderovski, si dhe kundër kryetarit të sindikatës së Jugohromit, Bajram Amiti, për shtytje me dashje të kryerjes së veprës penale ”ndotje e mjedisit jetësor dhe natyrës” nga neni 218, paragrafi 1 dhe 2 i Kodit penal të RM (e cila është e dënueshme me së paku 5 vjet burgim)”, thuhet në kumtesën e Eco Guerilla-së./Telegrafi/