Lëvizja Eco Guerilla ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ashtu si në rastin e Manastirit, edhe në Komunën e Tetovës të hulumtojë korrupsion të mundshëm financiar siç janë dyshimet për keqpërdorimet nga udhëheqjet e mëparshme komunale, lidhur me ujësjellësin, transportin e nxënësve nga shkollat e mesme dhe keqpërdorime të tjera që mund të jenë të njohura për udhëheqjen e tashme të Komunës, njofton Telegrafi Maqedoni.
”Më 31 maj 2013 kryetarja e Komunës, Teuta Arifi, ka deklaruar se Komunën e ka gjetur në borxh prej 8 milion eurosh, por deri më tani nuk është prononcuar për çfarë borxhi bëhet fjalë. Opinioni duhet te dijë nëse është ngritur procedurë penale ndaj autorëve eventual të këtyre veprave penale.”
Eco Guerilla thotë ”qytetarët ende presim transparencën e premtuar nga kryetarja më 31 maj 2013. Më tej, kjo kërkon dhe inkurajon autoritetet e Komunës të publikojnë raportet financiare për 6 vitet e fundit, duke ndjekur shembullin e komunave tjera që i publikojnë raporte të këtilla.”
”Me këtë do të mundësohet që taksapaguesit të informohen se si harxhohen dhe përdoren paratë e tyre. Komuna e ka detyrim ligjor të publikojë këto dokumente.” Ata thonë se deri më tani në web faqen e Komunës nuk kanë parë të publikuar asnjë raport financiar vjetor.
”Prandaj, Eco Guerilla kërkon përgjegjësi penale dhe konfiskim të pasurive të personave që kanë kryer vepra të këtilla penale dhe të njëjtat t’i kthehen komunës.” thuhet në reagimin e Eco Guerilla./Telegrafi/