Telegrafi

Eco Guerilla me një shkresë zyrtare deri te ministri Ahmeti kërkon informacione rreth Jugohromit

Organizata për mbrojtjen e mjedisit Eco Guerilla sot i ka dërguar një kërkesë zyrtare ministrit për Mjedisin dhe Planifikimit Hapësinor Bashkim Ahmeti në lidhje me plotësimin e kushteve dhe detyrimeve nga Jugohrom. Kështu dhuhet në kërkesën e dërguar deri tek Telegrafi Maqedoni.

”Në bazë të nenit 4 dhe nenit 12 të Ligjit për qasje të lirë deri te informacione me karakter publik (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 13/ 1.2.2006 ), nga poseduesi e kërkojmë informacionin me karakter publik, si vijon:

Duke u nisur nga fakti që ish-Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një nga prononcimet e tij të fundit për Jugohrom Ferroallojs deklaroi se asnjë pikë e Planit Operativ nuk është realizuar, e që afatin e realizimit e ka patur deri më 30 Prill 2015, kërkojmë nga JU që të na informoni se çfarë është bërë nga Plani Operativ, sa ka bërë Jugohrom deri në këtë moment në instalimin e filtrave dhe në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Plani Operativ i dhënë nga Qeveria e RM.

Udhëheqësia e Jugohromit në deklaratat për media, në vazhdimësi ka dhënë afate kontradiktore për përmbushjen e këtij plani operativ. Të gjitha këto kanë rezultuar si mashtrime dhe blerje kohe për opinionin publik. Jugohrom përditë qytetit të Tetovës i dhuron 30 ton pluhur. Afati përfundimtar nga Qeveria për vendosjen e filtrave skadon me 31 tetor, 2016. Nga ajo që duket në terren, është e qartë se asgjë nuk do të realizohet deri në këtë afat. Pse ne duhet të jetojmë përditë me 30 ton pluhur deri më 31 tetor? Kush do të mbajë pergjegjësi penale para drejtësisë kur do të konstatohet se nuk është realizuar vendosja e filtrave?

Herët a vonë zgjedhjet do të mbahen, llogaridhënia ndaj qytetarëve prej të cilëve do ta kërkoni votën, afrohet shumë shpejtë. Ata meritojnë të dinë se çka mund të presin nga të zgjedhurit e tyre.

Informacionin e kërkojmë në formë të shkruar me qëllim të informimit në kohë të qytetarëve të Tetovës dhe rajonit, në lidhje me aktivitetet e ndërmarra nga ky institucion.”(sic) thuhet në kërkesën e Organizës për mbrojtjen e mjedisit Eco Guerilla./Telegrafi/