Telegrafi

Eco Guerilla: Mali Sharr të shpallet park kombëtar

Organizata joqeveritare “EcoGuerilla” kërkon që Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Malin Sharr ta shpall për park kombëtar.

Nga Eco Guerilla thonë se edhe ekspertët kanë dhënë vlerësim që Mali Sharr duhet të shpallet park kombëtar.

“Eco Guerilla në vazhdimësi ka qenë e interesuar për të kuptuar ecurinë e valorizimit të vlerave të Malit Sharr, dokument ky që përbën bazë për futjen e këtij territori në kuadër të sistemit të zonave të mbrojturave, respektivisht shpalljen e tij si Park Nacional. Valorizimi tashmë ka përfunduar dhe ekspertët kanë dhënë vlerësim. Ekipi i ekspertëve ka rekomanduar që Mali Sharr duhet të shpallet Park Nacional për të mbrojtur florën dhe faunën, pasuritë e ndryshme natyrore, përfshi mineralet e ndryshme, si dhe planet zhvillimore të çdo komune që është nën ndikim të territorit të Malit Sharr”.

“Sot ne kërkojmë nga qeveria që vendimin e ekspertëve për të shpallur Malin Sharr park nacional ta dërgojë përpara deputetëve në kuvend, me qëllim formalizimin e këtij vendimi si dhe të respektojnë vlerësimet dhe konkludimet e ekspertëve rreth zonimit të brendshëm të parku. Kjo sepse, jemi të informuar se ekziston një formë presioni nga ana e grupeve të interesit që janë përfshirë në ndërtimin e të hidro-centraleve të vogla të subvencionuara nga paratë e taksapaguesve të cilët kërkojnë të pengojnë shpalljen e Malit Sharr Park Nacional deri sa ata të realizojnë projektet e tyre dhe të shkatërrojnë mjedisin dhe lumenjtë e Sharrit. Ky lloj presioni nga ana e hidro-mafias nuk duhet të merret parasysh nga të zgjedhurit e qytetarëve dhe nga qeveria. Ata duhet të ketë prioritet mbrojtjen e llojeve të ndryshme të botës bimore dhe shtazore në Malin Sharr, mbrojtjen e resurseve të ujit për banorët e zonave rreth Malit Sharr dhe mbrojtjen e pyjeve nga prerja masive”, thonë nga Eco Guerilla.

Ata shtojnë se interesat e qytetarëve dhe banorëve të zonës së mbrojtur duhet të jenë prioritet ndaj interesave të mafies së hidrocentraleve që sipas tyre, shkatërron resurset natyrore me subvencionet e shtetit dhe me paratë e qytetarëve./Telegrafi/