Site icon Telegrafi

Eco Guerilla kundërshton planin e Kasamit për kazermën në Tetovë (Video)

Lëvizja qytetare “Eco Guerilla” përmes një kumtese për Telegrafi Maqedoni ka reaguar ndaj planit të kandidatit për kryetar komune në Tetovë nga Lëvizja Besa, për shndërrimin e kazermës së qytetit në një kompleks banesor dhe tregtar.

Si pjesë e fushatës, ditë më parë kandidati për Komunën e Tetovës nga Lëvizja Besa, Bilall Kasami, publikoi një video se si do të duket Tetova pas qeverisjes së tij. Mes tjerash në qeverisjen e tij, Kasami parasheh që kazermën e qytetit ta shndërrojë në kompleks tregtar dhe banesor.

“Duam t’i rikujtojmë që në datën 5 dhjetor 2016, ky subjekt bashkë me parti të tjera ka nënshkruar morandum me Lëvizjen Eco Guerilla ku zotohen që do të angazhohen që qoftë si pozitë apo opozitë që Kazerma e Tetovës të shndërrohet në Park të qytetit. Kërkojmë që menjëherë të tërheqin spotin 3D ngaqë janë në kundërshtim me memorandumin e nënshkruar”, thonë nga Eco Guerilla.

Ata shtojnë se Tetova është një nga qytetet me më pak hapësira të gjelbërta dhe çdo tendencë betonizimi nga cilido subjekt do të kundërshtohet ashpër nga qytetarët.

“Shembull i këtyre premtimeve boshe është edhe kryetarja aktuale e cila mandatin e fitoi me premtime për zgjidhjen e infrastrukturës efikase rrugore, linjën e rregullt të transportit publik, parkingje nëntoksore, ambient të pastër jetësor, parqe të gjelbërta që ruhen e mirëmbahen, kinema, muze, hapësira të posaçme për rekreacion. Moszgjidhja e deponisë dhe ujit për 4 vite e gjysëm dhe manipulimi elektoral para zgjedhjeve është nënçmim i inteligjencës së qytetarëve”, theksojnë nga Eco Guerilla.

Ata në fund kërkojnë nga të gjithë kandidatët të jenë të kujdesshëm në premtimet që japin, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor./Telegrafi/

Exit mobile version