Site icon Telegrafi

EC Ma Ndryshe lanson lojën ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se përmes një aktiviteti me pjesëmarrjen e nxënësve ka prezantuar lojën mjedisore të titulluar “EC në natyrë”.

Ky aktivitet është mbajtur në sallën e Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren, me praninë e nxënësve të shkollave “Emin Duraku”, “Mustafa Bakia”, “Fadil Hisari” dhe  “Gani Saramati”, të cilët kanë luajtur versionin në dysheme dhe në tavolinë të lojës mjedisore, raporton Telegrafi.

“Qëllimi i kësaj loje të zhvilluar nga ‘EC Ma Ndryshe’ është rritja e ndërgjegjësimit si dhe të njohurive të nxënësve përkatësisht lojtarëve për vlerat natyrore të Kosovës, por edhe për problemet mjedisore që kërcënojnë këto pasuri”, thuhet në njoftim.

Aty është theksuar se loja angazhon lojtarët në një mënyrë ndërvepruese për të mësuar dhe për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pasurive natyrore, përmes sfidave dhe pyetjeve edukative, raporton Telegrafi.

“EC Ma Ndryshe me këtë lojë mjedisore synon që përmes argëtimit dhe testimit të njohurive, nxënësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, ashtu që të jenë të gatshëm për të kontribuuar në ruajtjen e pasurive natyrore të Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version