Site icon Telegrafi

Ebrahim Raisi nuk ishte i moderuar, por pas vdekjes së tij Irani do të bëhet edhe më i ashpër

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Vdekja e presidentit iranian Ebrahim Raisi, në një aksident me helikopter të dielën mbrëma, nxiti menjëherë spekulimet për postin e udhëheqësit të ardhshëm suprem. Raisi konsiderohej gjerësisht si kandidat kryesor për të zëvendësuar Ali Khamenein, i cili është në mesin e të 80-ave dhe për të cilin thuhet se është në gjendje të rënduar shëndetësore. Largimi i tij nga grupi i kandidatëve të mundshëm, ka shtruar pyetjen nëse kjo mund të jetë mundësi për regjimin iranian për të zgjeruar pjesëmarrjen politike në vend, duke rivendosur figura të moderuara dhe reformiste në disa funksione shtetërore.

Por, kjo nuk ka gjasa. Në vitet e fundit, rrethi i brendshëm i regjimit në Iran është tkurrur dhe do të vazhdojë të tkurret. Vdekja e Raisit e shtyn Iranin edhe më tej në këtë drejtim.

Miti mbizotërues për regjimin në pushtet në Iran, është se strehon dy rryma politike konkurruese – të linjës së ashpër dhe reformistët, me njërën ose tjetrën që mbizotëron në çdo moment të caktuar. Linjat e ashpra janë islamikët e ngurtësuar të cilët besojnë se Irani është forcë rezistence kundër Perëndimit hegjemonist, ndërsa reformistët janë të moderuar, më pragmatikë, të cilët në një farë mase besojnë në angazhimin përmes rendit ndërkombëtar. Dy rrymat ekzistojnë, por banojnë në vende të ndryshme në sistemin shtetëror, me linjat e ashpra që përgjithësisht dominojnë reformistët – dhe i përdorin ata kur kjo është e nevojshme.

Në nivelet më të larta, regjimi iranian drejtohet nga ata të linjës së ashpër. Politika dhe strategjia krijohen nga udhëheqësi suprem i linjës së ashpër. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) – entiteti elitar ushtarak që ekzekuton politikën e jashtme dhe ndërhyrjet ushtarake iraniane në gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë – i raporton atij. Nuk ka ndarje të qartë midis funksioneve klerikale dhe ushtarake.

Reformistët janë lejuar të qëndrojnë në komponentët më të butë të burokracisë shtetërore, më shumë në role administrative sesa vendimmarrëse, por me kalimin e viteve edhe kjo prani është pakësuar. Nëse palët e linjës së ashpër gjykojnë se në botën e gjerë Irani do të përfitonte nga projektimi i imazhit reformist, figurat reformiste lejohen të dalin në postet e larta publike. Kështu ndodhi me zgjedhjen e Hassan Rohanit si president në vitin 2013, gjë që përkon me negociatat për marrëveshjen bërthamore.

Personat e linjës së ashpër janë në gjendje të drejtojnë procesin zgjedhor, sepse asnjë kandidat nuk lejohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ose parlamentare pa miratimin paraprak nga Këshilli i Gardës i cili emërohet nga udhëheqësi suprem.

Raisi nuk ishte reformist; mbikëqyrja e tij e ekzekutimeve masive në vitet 1980, atij ia dha nofkën “Kasapi i Teheranit”. Procesi i verifikimit të Këshillit të Gardës përpara zgjedhjes së tij më 2021, nënkuptonte se ai i fitoi zgjedhjet presidenciale pa u përballur me ndonjë sfidë serioze. Zgjedhja e tij pas Rouhanit erdhi në kohën kur ShBA-ja ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore dhe udhëheqësi suprem nuk e ndjeu më të nevojshme që të projektonte imazhin më të butë për Iranin në skenën ndërkombëtare. Me Iranin aktualisht të përfshirë në një konflikt të tensionuar me Izraelin, në Iran nuk ekziston dëshira për ta ndryshuar drejtimin politik. Ka të ngjarë që kushdo që të zëvendësojë Raisin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, më 28 qershor, ai do të jetë një tjetër figurë e linjës së ashpër pranë udhëheqësit suprem.

Kur Khamenei iu afrua të tetëdhjetave, nisi të ndryshojë regjimin iranian duke u bërë gjithnjë e më izolues. Khamenei është i shqetësuar për trashëgiminë dhe dëshiron të jetë i sigurt se ai do të zëvendësohet nga dikush që vazhdon të njëjtën politikë dhe strategji. Çdo cikël i përzgjedhjes së anëtarëve të Asamblesë së Ekspertëve – të organit konsultativ që zgjedh udhëheqësin suprem dhe mbi të cilin Khamenei ushtron ndikim të rëndësishëm – solli një bërthamë gjithnjë e më të fortë besnike ndaj Khameneit.

Tërheqja e ShBA-së nga marrëveshja bërthamore më 2018 dhe vrasja më 2020 e komandantit të lartë të IRGC-së, Qasem Soleimani, vetëm ia konfirmoi Khameneit se mbijetesa e regjimit varet nga zhdukja e divergjencës dhe nga projektimi i imazhit sfidues ndaj Perëndimit të cilit nuk mund t’i besohet. Kjo është arsyeja se pse ai e ngarkoi Raisin të shtypte lëvizjen Gruaja, Jeta, Liria më 2022 dhe pse në zgjedhjet e fundit parlamentare, në mars 2024, ata të linjës së ashpër fituan shumicën e vendeve.

Regjimi iranian ka shkuar shumë larg drejt forcimit të kontrollit dhe izolimit, ndaj nuk tërhiqet. Çdo kompromis rrezikon ta tregojë si të dobët udhëheqësin suprem. Me Izraelin i cili vazhdon të ekspozojë dobësitë ushtarake të Iranit përmes sulmeve strategjike ndaj përfaqësuesve iranianë në Liban, Siri dhe Irak, si dhe përmes sulmit simbolik në Isfahan në muajin e kaluar, regjimi në Iran është në gatishmëri të lartë ndaj infiltrimeve. Nuk është koha që një regjim i linjës së ashpër të zbusë kontrollin e tij ose t’ia shtrijë duart kujtdo, përveç ultra-besnikëve.

Thënë kështu, është ende e paqartë figura e saktë se kush do të marrë postin. Eliminimi i Raisit nga tabloja dhe rritja e izolimit të regjimit, mund të shtojë shanset e djalit të Khameneit, Mojtaba, për marrje të pushtetit. Disa vëzhgues mendojnë se regjimi iranian i shmanget nepotizmit meqë dëshiron të distancohet nga monarkizmi. Por, e veja e Raisit është vajza e një anëtari të Asamblesë së Ekspertëve, i cili njihet si mbështetës i palëkundur i Khameneit (dhe gjithashtu kandidat i mundshëm për udhëheqës suprem), ndërsa vajza e Soleimanit, Zeinaba, është e martuar me djalin e shefit të Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut, Hashem Safieddine; Safieddine është gjithashtu kushëri i sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Mos asgjë, vdekja e Raisit duhet të shërbejë për të përshpejtuar vendimin mbi trashëgiminë në Iran. Por, kjo nuk do të shkaktojë ndryshim në drejtimin politik të vendit, as në aspektin ndërkombëtar dhe as të brendshëm. Me më pak njerëz përreth të cilëve mund t’ju besohet, rrethi i brendshëm i regjimit iranian do të vazhdojë të tkurret me elementët klerikalë dhe me ushtarakët e regjimit të cilët do të ndërthuren mes vete më fort se kurrë më parë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version