Telegrafi

E vret për vadë

Fillimisht dy kushërinjtë u zunë me fjalë, por situata u nxeh shumë kur Ndue Jakaj dyshohet se nxori alltinë dhe qëlloi disa herë djalin e axhës Gjergjin, për ta lënë të vdekur, pikërisht afër digës e cila shkaktoi gjithë këtë tragjedi. Familjarët nuk dinin asgjë. Shumica ishin në punë e disa të tjerë brenda shtëpisë. Menduan se Gjergji kishte shkuar në punë si gjithmonë, derisa një fqinj i tyre ua dha lajmin e hidhur se kishte gjetur trupin e viktimës të mbuluar në gjak e pa shenja jete, shkruan Express.

Përveç anëtarëve të tjerë të familjes, i shokuar nga lajmi që mori mëngjesin e së premtes ishte Pjetër Jakaj, vëllai i viktimës Gjergj Jakaj. Ai ishte në orën e mësimit, duke u ligjëruar nxënësve kur dikush erdhi e i tha se vëllanë ia vrau djali i axhës, për të cilin thotë se deri të premten në orën 9 e kishte konsideruar si vëlla.

“Akoma nuk po mund të besoj se situata ka arritur deri këtu. Që dikush e vret djalin e axhës, fqinjin dhe vëllanë e tij për shkak se i thotë ta mbyllë digën”, ka rrëfyer të premten Pjetri për Express.

Thotë se kurrë më parë ata nuk kishin pas probleme mes vete deri ditët e fundit kur në fshat nisi të binte shi.

“E kemi rregulluar këtë farë pune njëherë. Kemi hap një kanal të ri të vadës. Edhe Ndue e ka mbyll atë të vjetrin me digë, pasi po na shkaktonte shumë telashe para derës… por krejt ranë poshtë të premten”, sqaron Pjetri i cili thotë se akoma nuk po mund ta marrë me mend faktin se vëllai i tij nuk jeton më. “Dhe kush ia morri jetën, njeriu i gjakut, i familjes të cilin e kemi konsideruar si vëlla. Arsyeja që ai ma vrau vllaun është e palogjikshme. Përveç që e mori një jetë njeriu, me këtë akt ai e njollosi edhe familjen Jakaj”.

E pavarësisht dhimbjes që djali i axhës i shkaktoi atij dhe familjarëve të tjerë, Pjetri thotë se nuk e ka ndërmend të bëjë diçka të ngjashme që ai ia bëri mëngjesin e së premtes.

“Ai i la katër fëmijë pa baba dhe një grua pa burrë. Me të le të merret drejtësia”.

Express është munduar të flasë edhe me familjarët e dorasit Ndue Jakaj, i cili dyshohet se ka vrarë 47 vjeçarin Gjergj Jakajn, njëherësh djalin e axhës. Por, dera e shtëpisë aty ishte e mbyllur për të gjithë. Pas tragjedisë që ndodhi mëngjesin e së premtes, fshatarët thonë se e gjithë familja e dorasit është ngujuar brenda mureve të shtëpisë.

“Askush nuk po del nga dera, as që po lëvizin”, thonë ata.

Ky rast është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, saktësisht nga Stacionin policor në Klinë. Sipas një komunikate për media nga kjo zyrë, thuhet se të premten rreth orës 09 e 10 minuta përmes telefonit është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Ranoc, komuna e Klinës.

“Njësitë reaguese të policisë dhe hetuesit kanë arritur në vend të ngjarjes dhe kanë arrestuar edhe personin e dyshuar , shtetasin N.J.(1961), të cilit i është konfiskuar edhe arma e zjarrit, për të cilën dyshohet se e ka përdorur në rast”, thuhet ndër të tjera në raport. /Telegrafi/