Luftëtare dhe gjithmonë do të fitojë. E tillë përshkruhet Rezarta ose Rezi siç e thërrasin shkurt, e vetmja femër shqiptare që është pjesë e repartit special të Policisë së Shtetit, RENEA.
Në 104-vjetorin e Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e ka prezantuar efektiven Rezarta Hoxhaj nëpërmjet një videoje të publikuar në faqen e tij në Facebook, shkruajnë mediat shqiptare.
Rezarta, vajza nga Vlora, fillimisht u bë një basketbolliste e zonja, duke numëruar 12 trofe në basketboll.
“Rezarta Hoxhaj, efektive e repartit special RENEA. Kjo është historia e Rezartës, vajzës që sfidoi mentalitetin, frikën… Duke u kthyer burim frymëzimi për gjeneratën e re të Policisë. Historia e një njeriu të suksesshëm mes dy pasioneve…E vetmja vajzë në forcat RENEA, 12 trofe në basketboll”, thuhet në video.
Pas 10 vitesh në Policinë e Shtetit, Rezarta vijon studimet në Akademinë e Sigurisë për një tjetër kapitull në karrierën e saj, marrjen e Gradës “Nën/komisar”.
Në një rrëfim të shkurtër ajo tregon përballjen e saj të parë në forcat RENEA me një ambient mashkullor dhe se si arriti t’i mposhte paragjykimet. Por nuk ka munguar as frika e nënës së saj.
“Gjithmonë e shikoja si të paarritshme por e kisha bindjen se do ta arrija, duke punuar fort. Kur mbërrita në fillim, shikoj një repart komplet dominues në meshkuj. Arrita që të krijoja konfidencë duke u përshtatur më së miri. Përshtypja e njerëzve në terren është sikur janë njerëz shumë të egër. Në jetën reale janë njerëz shumë dashamirës dhe shumë familjarë e të mirëkuptueshëm”, thotë Rezarta.
KOLEGËT
Nuk mungon edhe një opinion nga kolegët e saj:
“Reparti RENEA është elita e Policisë së Shtetit. Shikohet si një repart burrash, repart i fortë. Nuk e pranonim të thyenim atë mitin. Rezi u ambientua. Arriti në një kohë shumë të shkurtër, u bë një pjesëtare shumë e devotshme për të marrë pjesë edhe në shërbime reale. Është një vajzë që punon dhe atë që do të arrijë e arrin”.
Vetë ajo thotë se “nuk e ka karakterizuar aspak kjo pjesa e të qenit burrëror”.
“Jam treguar femër kur ka qenë për t’u treguar femër dhe jam treguar serioze kur ka qenë nevoja të jem në aksion. Shoqëria në përgjithësi më kanë përkrahur dhe pjesa më e madhe janë ndjerë krenarë për mua. Meraku i nënës ka qenë gjithë kohës, sidomos për zgjedhjen që bëra. Kur na bie ndonjëherë telefoni në orët e vona ajo ngrihet gjithë ankth dhe thotë ‘hë ke shërbim?’. Unë do t’u bëja një thirrje femrave, kushdo që të vijë, të konkurrojë, dy gjëra janë pasion dhe punë dhe nëse duhet një shembull shumë i mirë jam unë”, thotë në rrëfimin e saj Rezarta.
Edhe koleget dhe trajneri i saj në basketboll flasin për shpirtin luftarak të Rezit.
5 kampionate, 6 kupa republike, 6 superkupa, 17 vjet nga “Flamurtari” tek “Tirana”.
Basketbolli, pasioni i dytë i Rezartës.
Por ajo shton “i shoh si dy jetë paralele që mund të plotësojnë njëra-tjetrën”.