Që nga koha kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin “Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë” në janar të vitit 2011, kemi ditur se kjo ditë mund të vijë, kur hetimi i ngjarjeve të përshkruara në këtë raport do të çonte në procedura të mundshme gjyqësore
Besoj se Kosova dhe miqtë e saj brenda bashkësisë ndërkombëtare e kanë kërkuar këtë ditë, jo si diçka për t’iu frikësuar, por me shpresën se supozimet do të qartësohen një herë e përgjithmonë. Këto supozime ose duhet të largohen, ose të procedohen përmes padive të caktuara kundër individëve, të cilët supozohen të kenë bërë krime pa dijeninë dhe sigurisht pa pëlqimin e qytetarëve të Kosovës.
Kosova pohon se asgjë nuk ka të vërtetë në këto supozime. Edhe mund të jetë ashtu. Mirëpo, këtë mund ta definojë vetëm mekanizmi gjyqësor kompetent. Kjo mund të bëhet përmes themelimit në mënyrë të besueshme të një gjykate speciale, të besueshme për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo fillimisht të besueshme për drejtësinë.
Meqë Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë marrë përgjegjësinë mbi vete, ne duhet të jemi të bindur se ky proces është i besueshëm dhe mund të sigurojë një vlerësim të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë për të vërtetën përtej çdo dyshimi. Përfundimisht, e vërteta është ajo që qytetarët e Kosovës e dëshirojnë.
Jam në dijeni se shumë njerëz në Kosovë nuk mund ta kuptojnë se pse kjo gjykatë themelohet për këto krime dhe jo për të tjerat. Më shumë se dhjetë mijë persona janë vrarë dhe më shumë se pesë mijë persona janë zhdukur, prej të cilëve 1.700 ende janë të zhdukur, shumë krime të luftës tashmë janë përndjekur nga ICTY, EULEX, dhe nga gjykatat serbe. Por, është e vërtetë, shumë autor krimesh duhet akoma të ndiqen.
Ajo që ne, BE-ja, së bashku me SHBA-të, po propozojmë është një gjykate speciale brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, me selinë në Kosovë, por që procedurat e ndjeshme, përfshirë seancat dëgjimore, do të zhvilloheshin jashtë Kosovës. Jam i vetëdijshëm se me një gjykatë të tillë shumë i frikësohen imazhit të Kosovës. Megjithatë do të argumentoja se qartësimi i akuzimeve të tilla do të heqë një re të zezë që ka gllabëruar Kosovën. Do të hiqte argumentin që vazhdon ta ushqejë paragjykimin për Kosovën.
Propozimi për një gjykatë speciale është mënyra më e shpejtë për Kosovën që të lëvizë tutje përtej raportit të Martyt. Kjo në fund të fundit mund të përmirësojë reputacionin e Kosovës. E kuptojmë se ky është një vendim i vështirë për Kosovën dhe për Kuvendin e Kosovës. Kërkon shumë ndershmëri, kurajë dhe besim në sundim të ligjit dhe drejtësi. Dhe unë besoj se 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të reflektojnë mbi këtë shpresë për një të ardhme më të mirë evropiane.