Site icon Telegrafi

E vërteta e errët prapa këngës “The Show Must Go On”

Frontmeni legjendar i "Queen", Freddie Mercury (Foto: Getty Images/Guliver)

Ekzistojnë disa fakte pikëlluese kur është fjala për hitin e madh “The Show Must Go On”, ndërsa secili dallon nga tjetri – kurse ai që i lidh është Freddie Mercury.

Njëra prej këngëve më të popullarizuara të bendit legjendar britanik, “Queen”, lidhet me frontmenin, i cili ndërroi jetë në moshë 45 vjeçare.

Shumëkush mendon se Mercury është autor i hitit nga albumi i “Innuendo” (1991), mirëpo e vërteta është krejt tjetër.

Freddie Mercury dhe Brian May (Foto: Getty Images)

Bazën e këngës e ka shkruar kitaristi Brian May, i frymëzuar nga lufta e Freddiet me sëmundjen dhe nga këmbëngulësia dhe dëshira e tij për të vazhduar me performancat skenike.

Demo-versionin e ka kënduar vet May duke dyshuar se Mercury do të ishte në gjendje të nxirrte pjesët e pafavorshme të këngës.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Freddie Mercury

Sëmundja veçmë ishte shfaqur, por kjo nuk e pengoi rokerin legjendar që ta interpretonte njërën prej këngëve më të njohura në histori.

Freddie Mercury (Foto: Getty Images)

Këngën “The Show Must Go On”, ai e realizoi pak kohë para vdekjes. I dobët, i terur, i hollë dhe me shumë makijazh për të fshehur plagët në fytyrë – Freddie Mercury shkoi në studio.

Kishte dhimbje të mëdha dhe ishte thuajse i palëvizshëm, por shkoi në studio. Piu një gotë vodka dhe tha se do ta këndonte në mënyrën më të mirë.

Dhe vërtet ndodhi ashtu. Që në përpjekjen e parë, ai e këndoi për mrekulli. Kënga u lansua vetëm gjashtë javë para se Freddie të ndërronte jetë.

Edhe pse paraqet një prej hiteve më të mëdha të “Queen”, “The Show Must Go On” është njëkohësisht tregimi më pikëllues i grupit legjendar.

Frontmeni legjendar i “Queen”, Freddie Mercury (Foto: Getty Images)

Freddie Mercury ndërroi jetën mbrëmjen e 24 nëntorit të vitit 1991, vetëm 24 orë pasi njoftoi se ishte i infektuar me HIV dhe vuante nga AIDS-i.

Ai vdiq në shtëpinë e tij në Kensington në moshë 45 vjeçare, si pasojë e pneumonisë bronkiale që ishte komplikim i AIDS-it. /Telegrafi/

Exit mobile version