Telegrafi

E veja e Navalnyt, u kërkon rusëve të protestojnë ditën e zgjedhjeve – u bën thirrje ta shënojnë emrin e opozitarit të ndjerë në fletëvotime

Yulia Navalnaya u ka propozuar rusëve që të shkruajnë emrin e Alexei Navalny në fletëvotime – duke u bërë thirrje që të protestojnë për zgjedhjet e ardhshme, shkruan Sky News.

Navalnaya tha se ka gjetur shpresën nga turma e madhe, që ishte mbledhur javën e kaluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit opozitarit rus që vdiq muajin e kaluar në një burg në Arktik, transmeton Telegrafi.

Thirrja e saj për rusët që të dalin për të votuar në të njëjtën kohë në mesditën e 17 marsit – një formë proteste në Rusinë e kontrolluar fort – i bën jehonë një thirrjeje të bërë nga bashkëshorti i saj i ndjerë para vdekjes së tij.

Ideja e tij ishte që njerëzit të mund të regjistronin një protestë, pa asnjë rrezik arrestimi, duke dalë të gjithë masivisht në të njëjtën kohë në ditën e zgjedhjeve në qytetet anembanë vendit.

Në një video të postuar në YouTube, Navalnaya tha: “Duhet të përdorim ditën e zgjedhjeve për të treguar se ne ekzistojmë dhe jemi shumë. Jemi të vërtetë, njerëz që jetojmë dhe që jemi kundër Putinit”. /Telegrafi/