Besnik Nikolli alias Niko ose “El Gordo” i arrestuar disa ditë më parë me bujë nga autoritetet kolumbiane, ndoshta do të kishte vijuar jetën në arrati sikur të mos “tradhtohej” nga dobësia e tij për gratë.
Prej më shumë se 10 vitesh, oficerë të inteligjencës nga të paktën katër shtete kanë qenë në kërkim të Nikollit, si drejtues i një organizate shqiptare në trafikun e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera në Lion të Francës. Ndërkohë dy javë më parë në Francë, rezulton të jetë arrestuar edhe vëllai i Nikollit.
Ka dyshime se ishte pikërisht vëllai ai që e dërgoi “El Gordon” në Kolumbi si peng për shkëmbimin e një ngarkese me drogë.
Në dosjen e tij thuhet se oficerët e inteligjencës nga Europol dhe Interpol morën informacion se Nikolli vendosi në vitin 2021 të transferohej në Kolumbi për të krijuar aleancat me kartelet që veprojnë në vend. Ai ka qëndruar i fshehur në një lagje të njohur të Santa Martës për dy vjet pa u zbuluar.
Por ndërkohë sipas një investigimi të prestigjiozes, EL TIEMPO-s ai ishte aktiv në rrjetet sociale madje komunikonte dhe shkëmbente foto me gra të ndryshme që njihte në rrjet. Ka qenë një seri fotosh dërguar këtyre grave çelësi për gjetjen e vendndodhjes së tij.
Nikolli mësohet se kishte lidhje me strukturat e trafikut të drogës në Shqipëri, Holandë dhe Gjermani, të cilët ishin partnerë të tij në Evropë dhe ishin përgjegjës për marrjen e lëndëve narkotike. EL TIEMPO hetoi dhe konstatoi se bosi shqiptar u kap pasi agjentët e inteligjencës franceze përdoren si karrem për ta kapur një llogari online të një gruaje dhe Nikolli ra në kurth.
Sipas autoriteteve, shqiptari rrallëherë dilte nga rezidenca e tij, një apartament modest në lagjen San Pablo në Santa Marta, ku organizonte festa me gra që i paguante. “Ai u thoshte zonjave se jetonte në Bogota dhe se shkonte në bregdet vetëm për një shëtitje,” siguroi një burim gjyqësor. /tch/