Site icon Telegrafi

E tmerrshme, lind djalin pas përdhunimit nga disa persona, se di cili është babai

Nuk njeh babanë e fëmijës, pasi solli në jetë një fëmijë, pas përdhunimit nga disa persona. Kjo është historia e dhimbshme e 24-vjeçares nga Korça, e cila nuk ka guxuar t’i denoncojë pasi përdhunuesit e kanë kërcënuar me jetë. “Më thanë, ‘po hape gojë do të të vrasim dhe të hedhim në kanal”, – thotë Paola Korritarit, në një intervistë për Gazeta Shqiptare.

Ajo kërkon ndihmë, pasi nuk e rrit dot djalin, duke thënë se po vdesin nga uria dhe i ftohti, ndërsa drejtuesit e Shtëpisë së Foshnjës e kanë përzënë duke ia përplasur derën në fytyrë.

Si e mësuat që kishit mbetur shtatzënë dhe ku është babai i fëmijës?
Unë nuk e dija që kisha mbetur shtatzënë, por mendoja se isha shëndoshur. Për shkak të shqetësimeve shëndetësore, shkova për vizitë në spital dhe aty mësova se isha shtatzënë. Babain e fëmijës nuk e njoh, pasi me mua kanë abuzuar seksualisht persona të ndryshëm.

Keni bërë denoncim në polici ndaj personave që kanë abuzuar me ju?
Jo, nuk kam bërë denoncim. Nuk mund të shkoj në polici, sepse kam frikë se më vrasin. Janë shumë meshkuj të moshave të ndryshme që kanë abuzuar me mua. Ata më thoshin mos thuaj asgjë, pasi në të kundërt do të të vrasim dhe të hedhim në kanal. Kam shumë frikë prej tyre, sepse nuk kam asnjë njeri të më mbrojë. Kam vetëm nënën e sëmurë, me të cilën jetojmë në një shtëpi është gërmadhë pa drita dhe pa ujë. Ndërsa, tani jam e terrorizuar për fatin e foshnjës sime 7-ditëshe. Fëmija është i sëmurë dhe unë nuk e mbaj dot.

Përse thoni kështu?

Përveç kushte të këqija ekonomike, unë jam e sëmurë. Nuk mund ta rrisë fëmijën tim, pasi jam me probleme mendore. As nëna ime nuk e mban dot, pasi dhe ajo është e sëmurë. Për këtë vendosëm ta çonim foshnjën në jetimoren e Korçës. Plotësuam dokumentet që duheshin dhe bashkë me nënën shkuam tek drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës.

Çfarë ju tha drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës?
Ajo nuk pranoi të na takonte, na nxori jashtë. E përsëris, unë s’kam asnjë mundësi ta mbaj. U jam përgjëruar drejtuesve të jetimores që të mbanin djalin atje, pasi s’ka ngrënë asgjë. Ai është i sëmurë nga i ftohti dhe nga verdhëza.

Cili është apeli juaj?
Nëse nuk e pranojnë fëmijën tim në jetimore, ai do të vdesë (qan). I kërkoj ndihmë shtetit të marrë masa para se humb djalin. Është e tmerrshme të të vdesë foshnja nga uria dhe i ftohti. /Telegrafi/

Exit mobile version