Një prind, i cili e la vajzën e tij të mbyllur në një veturë përderisa qëndronte në një klub me valltare erotike, është akuzuar për abuzim me fëmijë në SHBA.
Auwin Dargin, 24 vjeçar, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzës në një gjykatë të Los Angeles, teksa po përballej me mundësinë për t’u dënuar me gjashtë vjet burg .
Ai kishte në kujdestari vajzën e tij nëntë-muajshe kur vizitoi klubin me valltare erotike “Synn Gentlemen’s”, duke e lënë vajzën të mbyllur në veturë në temperatura të larta për rreth një orë.
Matthew Nadeau, menaxher i klubit, tha për LA Times se ai u bë i dyshimtë pasi kishte parë Dargin të hyjë dhe të largohet nga klubi në mënyrë të përsëritur.
Ai dhe një kameriere e klubit kishin dalë jashtë kur dëgjuan klithmat e fëmijës brenda veturës, transmeton kp.
Fëmija ishte i tronditur, kështu që u detyruan të thyejnë dritaren e veturës për t’i dhënë ujë dhe për ta shpëtuar.