Site icon Telegrafi

E tha, mos bëni sikur nuk e dëgjuat

Kryeshërbëtorit të pretenduar të qytetarëve shqiptarë, në nervozizëm e sipër i ra edhe një copëz nga maska e bërë paçavër: shfryu publikisht kundër “minorancës”, siç e quajti, d.m.th. kundër “pakicës”, cilado qoftë ajo. Dhe, pikërisht sot, kur ka shkuar kandari në bisht.

Asgjë e re nuk është të kujtosh në teorinë e demokracisë atë që e kanë thënë dhe stërthënë dhjetëra teoricienë të saj: që demokracia nuk është sundim i shumicës së pacilësuar, si rrjedhim – ka pas shtuar Sartori – edhe të pakufizuar.

Emërmadhi Lord Acton e shtroi çështjen edhe më troç: prova më e sigurt për të gjykuar nëse një vend është apo jo i lirë, simbas tij, është shkalla e të drejtave dhe sigurive që gëzojnë pakicat. Nëse nuk besoni mua, pyesni zv.zonjën Lejla Moisiu që anglishten politike e njeh më mirë nga unë dhe Lordin Acton lypset t’ia kenë mësuar në shkollë.

Ngjashëm e ka shtruar çështjen, për shembull, edhe Ferrero: “Në sistemet demokratike opozita është një organ i sovranitetit popullor po aq jetik sa dhe qeveria. Të shtypësh pakicën opozitare do të thotë të shtypësh sovranitetin e popullit”. Nëse as për këtë nuk më zini besë, pyesni policin internacional me diplomë drejtësie Luigi Soreca, i cili ka qëlluar – aksidentalisht – edhe bashkatdhetar i z. Guglielmo Ferrero.

Shkurt: me një deklarim të tillë Kryeshërbëtori i pretenduar i qytetarëve shqiptarë shkeli sot edhe një herë publikisht parimin bazë simbas të cilit funksionon demokracia: parimin e sundimit të kufizuar të cilësdo shumicë, parim aspak i ri, sepse karakteristikë bazike e demokracisë është dhënia e së drejtës së shprehjes politike pakicave dhe e mbajtjes parasysh të fjalës së tyre.

Ndërkaq, si në një film ”muto”, heshtën edhe do “internacionalë”, të cilëve jo më kot Kryeshërbëtori ua tha konceptin e pakicës në gjuhët e tyre: minoranza, minority. Nuk e hapën gojën që të thonë, e pakta, atë që vetë kam 10 vite që e përsëris në publik: që individi, i cili i është ofruar shoqërisë shqiptare për Kryeshërbëtor, jo vetëm nuk e njeh demokracinë, po as nuk e do atë.

Exit mobile version