Istogu, skuadra e streetballistëve të shkëlqyeshëm e cila tash e tetë vite merr pjesë në turnet kualifikuese të streetballit kosovar në Pejë dhe e cila përkundër lojës atraktive përplot me depërtime fantastike me ngulitje, bombardime nga distanca e bllokada monstruoze asnjëherë deri sivjet nuk arriti sukses maksimal në Pejë, të shtunën në zemër të Pejës, ja doli qëllimit, u bë kampione e Limak Streetball Kosova 2014 në Pejë, duke siguruar vizën për superfinale.
Ishte kjo e teta e vërteta për skuadrën simpatike streetbollistike të udhëhequr nga lojtari i mrekullueshëm Diamant Shabani dhe kapiteni Berat Gashi, që ishin të ndihmuar edhe nga Besar Haskaj dhe Astrit Rexhaj.
Kjo katërshe fantastike e udhëhequr nga Diamant Shabani i shkëlqyeshëm e ka fituar turneun e tretë kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014, dhe është bërë superfinalisti i katërtë i kampionatit të 15-të jubilar të streetballit kosovar, duke ju bashkuar në superfinale skuadrave kampione të turneve të sivjetme kualifikuese në Gjakovë dhe Prishtinë, ekipeve HD Club me Driton Rracin në krye, respektivisht Mr.Pantina me Valon Behramin, si dhe ekipit Che Bar, kampionit të edicionit të kaluar i cili ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e madhe të këtij edicioni të Limak Streetball Kosova 2014.
Istogu i prirë nga Diamanti i cili ishte diamant i vërtet në turneun e Pejës, kishte punë shumë të vështirë në finale ngase u ndesh me skuadrën Dostat 039, ekip ky i cili e kishte mposhtur në kuadër të fazës së grupeve, me rezultat të ngushtë 15:13, mirëpo në duelin vendimtar për titullin e kampionit të Pejës, Istogu u koncentrua maksimalisht, rregulloi snajperin e vet dhe zhvilloi duelin më të mirë të këtij turneu duke i mposhtur rivalët me rezultat 15:10, dhe atë, besoni apo jo, 7 shënime nga distanca përtej vijës 6,75 metra dhe vetëm një pikësh.
Duhet cekur se sivjet në Pejë garuan 8 skuadra të ndara në dy grupe. /KP/Telegrafi/