Site icon Telegrafi

A e solli Gjuriq logon e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë? Tregon Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se problemet mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojnë me arritjen e marrëveshjes obligative ligjore në përfundim të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Asociacioni i Komunave Serbe, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj do të formohet vetëm në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, dhe nga grupi punues i përbërë nga përfaqësues shqiptarë dhe serbë të Kosovës, gjë për të cilën ka marrë iniciativë edhe presidenti, së bashku me kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

Ai tha se nuk ka asnjë mundësi që Serbia të mund të ndërtojë një entitet në veri të vendit, të ngjashëm me Republika Srpska.

Hoxhaj, në një intervistë në Klan Kosova, ka lëvduar edhe reagimin e LDK-së në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë, duke thënë se ka qenë shembull, ndërsa ka thënë se është për keqardhje reagimi konspirativ i Vetëvendosjes.

Në vend të konspiracioneve, Hoxhaj tha se opozita duhet të shtrojë pyetje se mos Gjuriq e ka pasur të gatshme logon e Asociacionit kur ka hyrë ilegalisht në Kosovë, duke aluduar se ekziston një informacion i tillë. /Telegrafi/

Exit mobile version