Telegrafi

BE e shqetësuar me mbeturinat në Kosovë, Ministria amnistohet me mungesë buxheti! (Video)

Mbeturinat e shumta e ambienti i ndotur po i bezdisin ndërkombëtarët që punojnë këtu.

Aq i degraduar është mjedisi, cilësia e ajrit, menaxhimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave, saqë e kanë shtyrë shefin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, që t’i adresojë një shqetësim me shkrim Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton KTV.

Këtë e konfirmon vet udhëheqësi i këtij dikasteri, Ferid Agani, i cili thotë se kjo situatë është krijuar sepse ambienti asnjëherë nuk ka qenë prioritet i qeverisë.

Derisa është përgjegjësi për ambientin, e heq fajin nga vetja, organizatat kosovare që merren me mbrojtjen e mjedisit, thonë se Ministria e Ambientit ka bërë shumë pak në përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Por, në fakt, një situatë e tillë e papastërtisë në Kosovë mund të vazhdojë edhe për dy vjet të tjera, atëherë kur Ministria e Ambientit po planifikon të fillojë një partneritet publiko-privat për menaxhimin e mbeturinave.