Marrëveshja me Serbinë për fusnotën, edhe pse e imponuar nga faktori ndërkombëtar, hapë mundësi të reja për Kosovën dhe në opinion nuk bën që kjo situatë të portretizohet me kokën teposhtë. Por, njëkohësisht ajo duket tepër e shëmtuar për t’u admiruar dhe nuk e bën asnjë shqiptar të ndihet krenar, përveç Hashim Thaçit, i cili pa nevojë merr autorësinë e veprave të huaja.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin e Kosovës në organizmat rajonalë, duke përdorur fusnotën – që nënkupton mos paragjykimin e palëve për statusin politik të Kosovës – formalisht duket si një fitore e politikës aktuale serbe, apo me saktë e presidentit Tadic, dhe një humbje e politikës aktuale kosovare, apo më saktë e kryeministrit Thaçi.
Ajo që Beogradi ka kontestuar vazhdimisht ka qenë mospërfillja e Rezolutës 1244 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Me këtë marrëveshje Beogradi ka arritur ta imponojë qëndrimin e vet kokëfortë se ai nuk do të heq dorë nga kontestimi i statusit të Kosovës dhe se në BE do të futet duke mos pushuar së luftuari shtetësinë e Kosovës.
Kjo do të thotë së nëse deri tani shtete të caktuara kanë bërë presion mbi Serbinë që të heq dorë nga Kosova nëse ajo dëshironte të bëhej pjesë e Evropës, tash, me këtë marrëveshje, Serbia arrin që ta heq atë presion nga shpatullat e veta dhe madje ta përdor Marrëveshjen si një moment të ri që përforcon pozicionin e saj paralel: edhe Evropën edhe Kosovën.
Zërat e disa diplomatëve dhe analistëve lokalë apo më gjerë, e madje edhe qeveritarëve aktualë me në krye Hashim Thaçin se Serbia faktikisht e ka njohur Kosovën si shtet, nuk kanë të bëjnë asgjë me situatën reale. Serbia edhe më parë e ka konfirmuar se do ta pranonte njëfarë subjektiviteti të Kosovës dhe se nuk do të ishte kundër përfaqësimit rajonal të saj, por paraprakisht do të duhej ta arrihej një marrëveshje e re e palëve për statusin e Kosovës që do ta kënaqte edhe palën serbe e jo vetëm atë kosovare – si pretendon ajo se është arritur me pakon e Ahtisaarit.
Tani Serbia me këtë Marrëveshje nuk ka arritur synimin e saj për një ndërrim real të statusit të Kosovës, por ka plotësuar një objektiv në kuadër të këtij synimi e ai është legjitimimi i kërkesës së saj për ndërrimin e statusit të Kosovës që ajo e sheh si një proces më të gjatë, por sipas saj, të mundshëm!
Meqë edhe rruga për t’u bërë formalisht pjesë e BE-së është relativisht e gjatë, Serbia tenton që me mjete diplomatike t’i kompensojë sadopak humbjet në raport me Kosovën. Ndoshta këtu edhe është dallimi esencial mes qasjes së politikanëve kosovarë të cilët çështjen e statusit të Kosovës e shohin të përfunduar dhe të atyre serbë, të cilët shpresojnë se një ditë do ta rikthejnë situatën në favor te tyre.
Këto qasje rrënjësisht të kundërta bëjnë që në procesin negociator pala kosovare të jetë e shkujdesur, neglizhente, inferiore dhe pse jo edhe disfatiste, kurse pala serbe tepër e motivuar, vigjilente, shumë aktive dhe superiore. Duke u sjell në këtë mënyrë, pala kosovare vështirëson jo vetëm pozicionin e saj, por edhe të aleatëve tanë ndërkombëtarë që duan të na ndihmojnë, meqenëse lë hapësirë për avancimin e dukshëm të diplomacisë serbe dhe pastaj vinë minutat e fundit kur miqtë tanë duhet ta gjejnë zgjidhjen finale sa për të na nxjerr nga situatat e tilla.
Këtë më se miri e tregon qëndrimi fluktues i dy funksionarëve më të lartë të vendit, pra të Presidentes dhe të Kryeministrit, të cilët nga zotimet se Kosova do të prezantohet me emrin e saj kushtetues vetëm pas disa ditësh “harruan” fjalët e veta dhe pranuan marrëveshjen që formalisht cungon atributet formale shtetërore të Kosovës në përfaqësim me shtetet tjera në rajon. Pra, politikanët kosovarë duket se politikën e konsiderojnë si raport forcash ku i dobëti gjithnjë humb e jo si një art i së mundshmes ku në raste të caktuara kundërshtari i dobët arrin ta fitojë betejën.
Mirëpo, përderisa kjo marrëveshje vetëm formalisht duket si një fitore e politikes serbe, në esencë ajo i sjell shumë të mira praktike Kosovës. Më esencialja është se Serbia duke imponuar emërtimin e gjymtë të Kosovës dhe duke tentuar mohimin e shtetësisë me këtë marrëveshje, paradoksalisht i hap udhë pikërisht ushtrimit të sovranitetit të Kosovës në planin ndërkombëtar, siç është mundësia e anëtarësimit dhe e pjesëmarrjes në organizmat më relevantë ndërkombëtarë. Në këto relacione Kosova përfiton praktikisht. Kjo nuk është pse Serbia nuk e di çfarë bën, por pse ajo është e detyruar ta bëjë këtë për t’u shpërblyer me statusin e kandidatit për BE, tashmë të fituar.
Pra, ky është një moment i ri fitimprurës për Kosovën dhe në opinion nuk bën që kjo situatë të portretizohet me kokë teposhtë, sepse ajo është në dobi të Kosovës dhe të popullit të saj.
Hashim Thaçi dhe qeveria e tij nuk kanë pse të lëvdohen për këtë marrëveshje, sepse me një përgatitje më të mirë në bisedime dhe me një këmbëngulje më të madhe ka mundur të arrihet një marrëveshje më e përshtatshme që jo vetëm se do t’i mundësonte Kosovës ecjen në perspektivën e saj drejt Evropës, por që njëkohësisht do t’i mbyllte Serbisë mundësitë formale të kontestimit të shtetësisë së Kosovës dhe synimeve të saj për një status të ri të serbëve në Kosovë, e veçanërisht të veriut të Kosovës të cilën ajo vazhdon ta mbajë nën kontroll.
Pajtimi i palës kosovare për prezantimin e Kosovës me fusnotë e le të hapur mundësinë për negociata të reja për veriun.
Është shumë e vërtetë se dizajnimi i Marrëveshjes do të ishte më i mirë sikur qeveria e Thaçit të ishte më demokratike dhe më pak e zhytur në korrupsion. Ajo që ambasadori Dell e ka thënë për LDK-në, duke e cilësuar si antiamerikane, ka pasur si synim disiplinimin e saj në një moment të caktuar kur politika amerikane nuk mund të bëjë më shumë me qëllim që Beogradi të afrohet dhe Kosova të ecën përpara, dhe kur Vetëvendosje kërkon aleatë për ta përmbysur Marrëveshjen dhe përmes saj edhe qeverinë e Hashim Thaçit – që në fakt është e vetmja garantuese e kësaj marrëveshjeje.
Pra, një lojë politike e ambasadorit Dell që për objektiv ka pasur ta ndal LDK-në në rrugën e saj drejt mbështetjes së Albin Kurtit dhe këtë efekt e ka arritur!
Lavdet dhe mbështetja që ka marrë Hashim Thaçi kanë të bëjnë vetëm me Marrëveshjen dhe kjo nuk do të thotë se ai do të marrë lavde për mënyrën se si po e qeveris vendin, e kjo është pika kryesore ku do të duhej të shpenzohej energjia e politikës opozitare dhe e aktivitetit të shoqërisë civile.