Telegrafi

E rrëmbyen, e rrahën dhe e lanë pa ndjenja në rrugë një person në Sarandë, arrestohen ‘të fortët’

Policia e Shtetit ka arrestuar katër persona në Sarandë dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tyre, pasi dyshohet se rrëmbyen me forcë një shtetas, të cilin e dhunuan dhe më pas e lanë pa ndjenja në rrugë.

Policia në Sarandë ka bërë me dije se u njoftua në lidhje me rastin në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku përmes një telefonate raportohej se shtetasi me inicialet G. O., po ndiqej nga disa persona dhe po i rrezikohej jeta.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë duke shkuar në vendngjarje kanë konstatuar në rrugën e fshatit Xarrë, shtetasin G. O., të plagosur rëndë fizikisht, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Sarandës për marrjen e kujdesit mjekësor, raporton euronews.al

“Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale nga shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Pengmarrja’, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, brenda pak orësh është bërë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar të saj.

Në vijim të veprimeve dhe ndjekjes të pandërprerë nga shërbimet e Policisë, rreth orës 04:00, u bë lokalizimi në fshatin Shëndelli dhe prangosja e 4 autorëve të dyshuar, konkretisht e shtetasve: P. N., 30 vjeç (me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve), A. N., 21 vjeç, A. N., 44 vjeç dhe A. N., 21 vjeç (të afërm të njëri-tjetrit), të gjithë banues në fshatin Shëndelli, Sarandë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim shtetasit A. N., 39 vjeç, banues në Shëndelli, Sarandë. Vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tri automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare, ndërkohë që materialet iu dërguan prokurorisë për veprime të mëtejshme.