Telegrafi

E rrëmbyen një shtetas turk dhe i kërkuan 50 mijë euro në këmbim të lirimit, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj katër personave

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.M., Y.M., L.B. dhe B.B. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer  veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 paragrafi 2, nën-paragrafi 2.2 dhe 2.3, lidhur me paragrafin 1, e në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, të pandehurit: A. M., Y. M., L. B. dhe B. B., më 17.09.2019 në Prizren,  duke vepruar së bashku e rrëmbejnë të dëmtuarin R.A. shtetas i Republikës së Turqisë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në atë mënyrë që i akuzuari A.M. së bashku me të akuzuarin Y.M. bëjnë organizimin e rrëmbimit të R.A. ashtu që të dëmtuarin i akuzuari A.M. e merr me veturë, e shoqëron në parkun e qytetit të Prizrenit duke vepruar sipas planifikimit dhe e rrëmbejnë.

Të akuzuarit, sipas planifikimit përmes një telefonate, nga vëllau i të dëmtuarit R.H. që gjendet në Turqi, kanë kërkuar shumën prej 50.000 (pesëdhjetë mijë euro) duke e kërcënuar se nëse nuk do të dorëzojnë të hollat e kërkuara në këmbim të lirimit të do ta vrasin vëllaun R.H.

I dëmtuari R.H. është mbajtur i lidhur deri më 21.09.2019, dhe ndaj tij është përdorur dhunë, si dhe nën kërcënimin e armës me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje të pandehurit kanë kryer  veprën penale “Rrëmbimi” sipas KPRK-së.​ /Telegrafi/