Mike Jones porositi një taksi autonom Waymo, në pronësi të Google, për ta çuar atë në aeroport javën e kaluar në Phoenix të SHBA-ve.
Megjithatë, në vend që të shkonte me shpejtësi për në destinacionin e tij, Jones e gjeti veten në një situatë shumë të pazakontë, transmeton Telegrafi.
Pasi u ul në ulësen e pasme, vendosi rripin e sigurimit dhe vetura u nis, në vend që ta linte në hyrje të aeroportit, vetura i bwri disa xhiro nwpwr parking për disa minuta.
Me kalimin e kohës, Jones u bë gjithnjë e më shumë nervoz dhe kontaktoi shërbimin e klientit Waymo me telefon për të raportuar problemin, duke theksuar se ai mund të humbte fluturimin e tij.
Megjithatë, përfaqësuesi i shërbimit të klientit nuk ishte në gjendje ta ndalonte automjetin nga distanca.
“Pjesa më e keqe është që më thanë të përpiqem ta zgjidh problemin duke përdorur telefonin tim”, tha Jones për televizionin KTLA.
Përfundimisht, një punonjës i Waymo ishte në gjendje të ndalonte automjetin. Jones më në fund doli nga taksi dhe arriti në fluturimin e tij në kohë, por ai priti një javë më kot për një falje ose kompensim për këtë situatë të pakëndshme.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që taksitë autonome bëjnë një gabim. Gjatë një festivali muzikor në San Francisko, disa automjete bllokuan rrugën për shkak të një rrjeti celular të mbingarkuar, duke bërë që veturat të ndalonin spontanisht.
Gjithashtu, një veturë autonome dikur u mbërthye në beton të freskët gjatë punimeve në rrugë, sepse softueri supozohet se nuk mund të dallonte midis sipërfaqes normale të rrugës dhe betonit të freskët. /Telegrafi/