Asnjëherë nuk humbi shpresën që një ditë do ta përjetoj këtë mrekulli. Kjo grua ka dëshmuar që vullneti i saj ka qenë më i madh se çdo frikë apo pengesë që kishte.
Zyrafete Zekaj nga fshati Carrabreg i Deçanit ka arritur të lind një djalë të shëndosh në moshën 58 vjeçare pa asnjë komplikim në spitalin rajonal të Pejës.
Ajo ka thënë se shtatzënia e saj ka shkuar shumë mirë fal ndihmës së stafit mjekësor.
Këtij engjëlli familja Zekaj ia vuri emrin Rilind, zgjedhje kjo e vajzës së tyre të parë, Rinesës, e cila thotë se është e lumtur që tanimë ka një vëlla.
Por ai që më së shumti u gëzua është babai i fëmijës, Xheladin Zekaj.
Tani e tutje ka dy arsye të festoj datën e 10 gushtit.
Njëra është ardhja në jetë e djalit, mrekulli të cilën gjithmonë kishte ëndërruar si dhe ditëlindja e tij.
Zekaj ka thënë se për të kjo është dhurata më e mirë që ka marrë gjatë gjithë jetës. Ajo ka thënë lumturinë që tanimë mund ta bartë Rilindin e shëndosh në prehrin e saj mund ta kuptojnë vetëm nënat, sepse lindja e një fëmije është eksperiencë që një grua nuk e harron asnjëherë.
Lindja e nënave në moshë të shtyrë është një dukuri e cila ndodh rrallë sepse fëmija mund lind me anomali të ndryshme.
Mirëpo, falë përkushtimit të dr. Ibrahim Rexhës gjinekologut që ka përcjellë shtatzëninë e saj, çdo gjë ka shkuar mirë.
Gjinekologu Ibrahim Rexhaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gruaja ka pasur shumë vullnet të mirë për të sjell në jetë këtë foshnje.
“Kjo është shtatzënia e dytë e Z.Z nga Deçani. Lindjen e parë e ka pasur para nëntë viteve, një vajzë. Sot ajo në moshën 58 vjeçare sjell fëmijën e dytë të gjinisë mashkullore, emrin e së cilit ia ka ngjitur e motra Rilinda, Rilind. Mendoj që është rast i rrallë në Kosovë”, tha ai.
Ibrahim Rexhaj ka 30 vjet përvojë pune dhe sipas tij nuk ka pasur rast të tillë më parë.
“Edhe nëna edhe foshnja janë në gjendje shëndetësore të shkëlqyer. Operacioni cezarian u krye me sukses. Falënderoj të gjithë ekipin qe më asistuan në operacion dhe stafin e anestezionit dhe sallës operative”, tha i entuziazmuar Ibrahim Rexhaj për Telegrafin
Ai ka thënë se me rezultatin e këtij rasti mund të krenohet i gjithë spitali rajonal i Pejës. /Telegrafi/