Site icon Telegrafi

A e respektojnë Shqipëria dhe Kosova njëra-tjetrën?

Ilustrim

Albert Rakipi

Ndonëse nuk ishte e pritshme, edhe vizita shtetërore e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës u shoqërua me përplasje, sido që të sofistikuara dhe të “fshehura” pas një gjuhe diplomatike. I ftuar nga Presidentja e Kosovës, kreu i ri i shtetit, krahas takimeve me homologen e vet, Kryeministrin dhe kryetarin e Parlamentit të Kosovës, u takua edhe me udhëheqësit e partive politike, përfshirë ato të minoriteteve, një praktikë jo e panjohur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në mënyrën se si diplomacia zhvillohet në kohën e sotme.

Mirëpo, njëra prej partive, në fakt, një nga partitë më të rëndësishme të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën lidhet themeli, tradita liberale demokratike dhe pluraliste e Kosovës, si dhe udhëheqësi legjendar i saj, Ibrahim Rugova, nuk pranoi të takohej me kryetarin e shtetit të Shqipërisë në selinë e Parlamentit, por kërkoi që ky takim të zhvillohej në selinë e partisë. Një zëdhënëse e LDK-së, me një gjuhë të zgjedhur diplomatike, njoftoi se ky ishte një shans i humbur për t’u takuar me Presidentin e ri të Shqipërisë, të cilin e mirëprisnin në selinë e partisë së tyre.

Ky “incident” si dhe qëndrimi thuajse neutral i presidentit ndaj një çështjeje kontroversale, siç është iniciativa e Ballkanit të Hapur, ku Serbia, por edhe Shqipëria, janë flamurtare, ndërsa Kosova (përfshirë Mali i Zi dhe Bosnja) nuk ka pranuar t’i bashkohet, u dhanë një mundësi të re për t’u shprehur kritikëve në Shqipëri, por edhe në Kosovë, qofshin këta politikanë, analistë apo gazetarë.

Vizita e parë e kryetarit të ri të shtetit të Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe polemikat apo kritikat që shoqëruan aspektet formale, protokollare, por edhe të substancës së kësaj vizite, është një rast i mirë për të vrojtuar; së pari, natyrën dhe klimën e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe së dyti, rëndësinë e diplomacisë dhe të aspekteve formale të protokollit, i cili sipas një tradite, të paktën 600-vjeçare të diplomacisë moderne, përbën ligjet dhe procedurat, në të cilat zhvillohet diplomacia; ligje dhe rregulla që kanë të bëjnë me thelbin e diplomacisë dhe nuk janë thjesht aspekte formale. Në rastin e shteteve relativisht të reja, siç është rasti i Shqipërisë apo shumë të reja, siç është rasti i Kosovës, aspektet, në dukje formale, të protokolleve të diplomacisë janë të lidhura me procesin e shtet – ndërtimit (state building).

Artikulli i mëposhtëm tenton të analizojë nga këto dy këndvështrime problematikat që u shfaqën dhe u komentuan nga vizita e Presidentit Begaj në Kosovë.

Tashmë është një sekret publik se në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës ekzistojnë mosmarrëveshje për çështje të rëndësishme që ngërthejnë, pikësëpari çështje të rëndësishme politike, por edhe ekonomike, siç janë, për shembull, “luftërat ekonomike” për patat, apo produkte të tjera në kufi. Këto mosmarrëveshje që herë-herë çojnë në tensione, nëse nuk dëmtojnë të ardhmen e këtyre marrëdhënieve dhe nëse nuk mund të çojnë në përplasje, mund të ruajnë një status quo, që gjithsesi është e dëmshme dhe përmban rreziqe.

Nuk është vetëm iniciativa Ballkani i Hapur, që aktualisht ndan Shqipërinë dhe Kosovën. Qeveria aktuale në Republikën e Kosovës, por edhe qeveritë e mëparshme, kanë shprehur rezerva të thella për politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Serbisë dhe, në mënyrë të veçantë, për rolin ndërmjetësues që Tirana ka pretenduar midis Serbisë dhe Kosovës; apo çështjen e pajtimit midis shqiptarëve dhe serbeve në Ballkan. Kosova nuk dëshiron një rol ndërmjetësues të Shqipërisë në marrëdhëniet e veta me Serbinë, por dëshiron ShBA-në dhe BE-në si ndërmjetësues. Po kështu, Kosova nuk e sheh pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan si një çështje midis Shqipërisë dhe Serbisë, por “çështja e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan kalon nga Prishtina dhe jo nga Tirana”.

Sado paradoksale të tingëllojë, është e vërtetë të thuhet se, aktualisht Shqipëria, që historikisht nuk e ka luajtur rolin e shtetit amë ndaj Kosovës, përpiqet ta bëjë këtë rol tani që Kosova është një shtet i pavarur. Madje, në disa raste, duke e neglizhuar këtë fakt dhe realitet në atë masë, saqë e shikon Kosovën si krahinën e saj autonome.

Në një kontekst dhe në një klimë të tillë, në të cilën po zhvillohen marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, që nga pavarësia e saj, më 2008, ndodhi vizita e Presidentit të ri të Shqipërisë. Në vizitën e parë jashtë shtetit, në një vizitë shtetërore, kreu i ri i shtetit ka zgjedhur Kosovën.

Është një vendim i duhur, që përmban një mesazh të qartë politik, rëndësinë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë si dy shtete të pavarura. Ishte një vendim dhe lëvizje diplomatike e rëndësishme por gjithsesi simbolike. Është simbolikë edhe për një fakt tjetër: Pa përjashtuar e zvogëluar rolin që Presidenti ka në formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, në një vend si Shqipëria, pra, në një republikë parlamentare, domenin e politikës së jashtme e ka Kryeministri dhe qeveria që ai drejton. Parlamenti ka rol tjetër, Presidenca gjithashtu, por, në fund të fundit, është qeveria që ka marrë mandatin të qeverisë përveç politikave të brendshme edhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Të gjitha institucionet dhe udhëheqësit politikë në Kosovë, duke u nisur nga Presidentja Osmani, duket qartë që e mbanin parasysh këtë fakt dhe gjithkush tregoi vetëpërmbajtje për të mos bërë objekt të bisedimeve me Presidentin e Shqipërisë çështje kontroverse që i ndajnë dhe nuk i bashkojnë Shqipërinë dhe Kosovën. Nuk ka dyshim që në takimet tête-à-tête këto çështje janë diskutuar dhe kanë pasur dhe do të kenë vëmendjen e Presidentit Begaj.

Një vëmendje të veçantë duhet të marrë propozimi publik i Presidentes së Kosovës Osmani, që të dy shtetet të nënshkruajnë një traktat në fushën e mbrojtjes. Megjithëse midis dy shteteve ekzistojnë më shumë se njëqind marrëveshje, një deklaratë për partneritet strategjik si dhe një marrëveshje kuadër i pretenduar si një traktat miqësie, në fakt midis të dy vendeve ende nuk ka një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi si një instrument klasik, i njohur në diplomacinë, marrëdhëniet ndërkombëtarë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti i Shqipërisë, Begaj, në vizitën e tij të parë në Kosovë, u përpoq të jepte edhe një mesazh tjetër, atë të bashkimit të partive politike, kur është fjala për politikën e jashtme të Kosovës dhe, në mënyrë të veçantë, kur është fjala për marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Presidenti i ftoi të gjithë udhëheqësit e partive politike në një takim të përbashkët në parlament por, siç e pamë, kjo nuk ndodhi. Ishte sërish një përpjekje për një mesazh politik që kreu i ri i shtetit shqiptar u përpoq të jepte për partitë politike në Kosovë. Por, nuk funksionoi. Presidenti i takoi kryetarët e partive politike në takime të veçanta. Shqipëria, në fakt, nuk ka çfarë t’i mësojë Kosovës në këtë aspekt, nëse mbajmë parasysh faktin se gjatë tri dekadave qysh nga rënia e komunizmit, partitë politike në Shqipëri vijojnë të jenë të përfshira në një konflikt politik që ka rrënuar dhe vijon të rrënojë të ardhmen, stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Por ky model politik i Tiranës, sado dëshpërues, nuk mund ta pengojë kryetarin e shtetit të inkurajojë dhe të punojë për një rol pajtues, së pari në Shqipëri, por edhe në një vizitë shtetërore, siç është rasti i Kosovës, që është një shtet i pavarur, por është edhe gjysma e kombit.

Ndërsa gjithça shkoi mirë, ndodhi “incidenti” me LDK-në, e cila kërkoi që takimi të mbahej në selinë e vet dhe jo në Parlament. Nga të “dy palët” vendi i takimit nuk është thjesht një aspekt formal i protokollit, por ka një simbolikë përmbajtjesore politike. Ndërsa është normale që, në një vizitë shtetërore, kreu i shtetit i fton partitë në Parlament, sepse ka të bëjë me shtetin, respektimin e institucioneve. Presidenti i Shqipërisë mund të shkojë edhe për një vizitë informale në Prishtinë dhe, në këtë rast, mund të shkojë në selinë e LDK-së, apo në selitë e tjera, ashtu siç mund të shkojë edhe për një fundjavë dhe të drekojë me udhëheqësit politikë apo me miqtë e tij. Por, në një vizitë shtetërore, protokollet kanë simbolikën e tyre që lidhet me shtetin, respektimin e institucioneve dhe të hierarkisë.

Nga ana tjetër, kërkesa e LDK-së që kreu i shtetit të Shqipërisë të takohej me kryetarin e kësaj partie, vetëm në selinë e saj, është përpjekje për të demonstruar pushtet dhe është në logjikën e luftës për pushtet brenda përbrenda Kosovës. Por, kryetari i shtetit është larg betejës për pushtet në Shqipëri së pari dhe do të ishte absurde të mendohej kjo në shtete të tjera, qoftë edhe në Kosovë.

Ky “incident”, për aq sa mund të quhet i tillë, është një shembull më shumë se në marrëdhëniet midis dy shteteve, herë-herë, mungon respekti për njëri-tjetrin. Më shumë vihet re në sjelljen e udhëheqësve të Shqipërisë ndaj Kosovës, por një tendencë e tillë, sado e vogël, nuk mungon edhe në sjelljen e Kosovës ndaj Shqipërisë. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë autorin e këtyre radhëve e kanë vënë re këtë sjellje, sidomos në anën e Tiranës, por nuk do të ishte e drejtë të thuhej se kjo mungon në Kosovë.

Nga një rrafsh filozofik/teorik, por edhe praktik, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë marrëdhënie në tranzicion. Nga një marrëdhënie e dominuar nga narrative nacionaliste, populiste, folklorike, patriotike, që ka ekzistuar deri në çlirimin dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, duhet të shkohet drejt një marrëdhënieje midis dy shteteve të pavarura dhe të barabarta. Vërtet janë dy shtete vëllezër, sepse i përkasin të njëjtit komb, por pa respektuar njëri-tjetrin, jo vetëm nuk mund të ndërtohet e ardhmja dhe bashkëpunimi, por përplasjet dhe mosmarrëveshjet do të jenë të pashmangshme. Është krejtësisht si midis dy vëllezërve apo dy motrave. Është e pamundur të pretendohet se dy vëllezër apo motra e duan njëri-tjetrin, nëse nuk e respektojnë njëri-tjetrin.

Por, dy shtete janë shumë më shumë se dy vëllezër. Dy shtete, dy shoqëri, dy popuj, ndonëse i përkasin të njëjtit komb, nuk mund ta duan njëri-tjetrin dhe të bëjnë përpara, të zhvillohen, nëse nuk respektohen reciprokisht, duke u mbështetur në dokumente, kushtetuta, marrëveshje, protokolle, rregulla dhe ligje. Dhe e fundit, por jo e fundit për nga rëndësia, marrëdhëniet shtetërore bazohen dhe zhvillohen mbi bazën e interesave. Zbulimi dhe zhvillimi i interesave të përbashkëta është i një rëndësie të veçantë strategjike, por, gjithashtu, konkurrenca, gara, është e shëndetshme dhe e domosdoshme në marrëdhëniet midis dy shteteve, përfshirë edhe shtetet që i përkasin të njëjtit komb. Sidomos.

Exit mobile version