Demush Shasha, nga ministria e Integrimeve Evropiane, duke folur për Strategjinë e Bashkimit Evropian për zgjerimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor e prezantuar sot nga Komisioni Evropian, tha se mesazhi i parë i kësaj strategjia është që Komisioni Evropian merr përsipër që vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE.
“Përpara, prej Selanikut e këndej, ka ndodhur premtim abstrakt që do të jenë pjesë e Evropës, si term gjeografik, kurse sot në faqe 3 të strategjisë thuhet se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do të jenë vende anëtarë të BE-së”, tha Shasha, në Click të RTV21.
Tutje Shasha duke folur për Strategjinë e BE-së, tha se për neve si Kosovë është e rëndësishme pasi që në një dokument të BE-së po trajtohemi plotësisht të barabartë me shtetet tjera.
“Nuk ka asnjë fjalë asnjë kriter, procedurë, standard ndryshe për Kosovën”, tha Shasha, duke folur për atë se çka shkruhet në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, dialogu i ardhshëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për të dyja palët për të ardhmen e raporteve të tyre dhe të gjithë rajonit, edhe për një perspektivë aderimi në BE.
Kështu thanë zyrtarët e Bashkimit Evropian pas miratimit të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Zyrtarët e BE-së përsëritën qëndrimin se asnjë shtet s’mund të jetë anëtar i Unionit nëse ka çështje të pazgjidhura ndërfqinjësore./21Media/