Telegrafi

E rëndë në Dimal, humb jetë 15-vjeçari pasi e zuri korrenti gjatë orarit të punës

Një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi e ka zënë korrenti gjatë orarit të punës në një lavazh në Dimal.

Pronari i biznesit, një 37-vjeçar është arrestuar nga policia për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 37 vjeç, banues në Dimal, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Mëngjesin e sotëm, në lavazhin në pronësi të 37-vjeçarit, një shtetas 15 vjeç, banues në Dimal, i cili punonte si ndihmës, në këtë lavazh, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ka humbur jetën.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të shtetasit A. H. /Telegrafi/