Telegrafi

E quajti Turqinë “shtrigë të Ballkanit”, ngritet kallëzim penal ndaj Gjergj Dedajt (Dokument)

Një pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë ka ngritur një kallëzim penal ndaj zëvendësministrit të Jashtëm, Gjergj Dedaj.

Një gjë e tillë, përcjell Telegrafi, është bërë për siç thuhet “për gjuhën e përdorur ditë më parë përmes Facebook-ut” nga Gjergj Dedaj.

Sipas drejtorit për Ekonomi dhe Financave të Komunës së Prizrenit, Ertan Simitçi, i cili ka ngritur edhe kallëzimin penal, gjuha e përdorur nga Dedaj është “nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe etnik”.

Simitçi në një prononcim për Telegrafin ka pohuar se “pret që Prokuroria e Kosovës të merr masa ndaj Dedajt gjersa kallëzimin e ka bërë në baza individuale dhe se ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar të partisë që përket – KDTP”.

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, përmes emisarëve të tyre.

Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’. /Telegrafi/