Glenn Greenwald, gazetari që kishte fituar çmimin Pulitzer për raportimet e tij sa i përket spiunimeve që i kishte bërë Agjencia Kombëtare e Sigurisë e njohur si NSA të cilat i zbuloi Edward Snowden, është përfshirë në një përleshje fizike me një kolumnist gjatë një debati të zhvilluar në një radio lokale në Brazil, shkruan Independent.
Pas publikimit të një sërë artikujsh për shtetin më të madh në Amerikën e Jugut dhe çështjeve të korrupsionit, gazetari amerikan është pyetur të flasë për to në radiostacionin Jovem Pam, ku i ftuar tjetër ishte Augusto Nunes, kolumnist për revistën Veja, transmeton Telegrafi.
Nunes më parë kishte propozuar se gjykatësi duhet t’ia merr fëmijët Greenwald që i kishte adoptuar me bashkëshortin David Miranda.
E kur filloi debati mes tyre ai sërish e propozoi një gjë të tillë, duke pretenduar se dyshja nuk po kujdesen në mënyrën e duhur për fëmijët e tyre.
Ai pyeti se “kush do të kujdeset për fëmijët?” “Frikacak”, ishte përgjigja e menjëhershme e Greenwald i cili iu afrua duke ia bërë me gisht se është “frikacak”.
Aty edhe eskaloi situata dhe Nunes pa u menduar dy herë e goditi me shuplakë në fytyrë Greenwaldin. Megjithatë reaguan punonjësit e radios duke i ndarë.
Në një video të postuar në Twitter pas incidentit, Greenwald, tha se komentet e Nunes “ishin pjesërisht homofobe”. Ndërkaq ka shpjeguar edhe arsyen pse e quajti “frikacak” Nunesin, duke pretenduar se u sulmua vetëm një familje. /Telegrafi/