Një atentat me armë zjarri ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të së martës. Klajdi Prendi, 28 vjeç, u ekzekutua brenda automjetit të tij në zonën e Porcelanit.
I riu është qëlluar 5 herë sapo ka dalë nga një lokal i njohur i zonës. Dyshohet se, në momentin që ka hipur në automjetin e tij, Mercedes G Class, i riu është qëlluar për vdekje nga një makinë në lëvizje. Sipas informacioneve paraprake të policisë, atentatorët në mjetin tip “Audi” mund të kenë qenë 3, por dyshohet se ka qëlluar vetëm personi që ndodhej në pjesën e pasme të mjetit. Arma e përdorur dyshohet të jetë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtëna në zonë.
28-vjeçari është dërguar me automjetin e tij në spitalin e Traumës. Kanë qenë miqtë e tij ata të cilët janë munduar t’i japin ndihmën e parë dhe ta dërgojnë në spital, por pa mundur dot t’i mbijetojë plagëve të marra. Autorët janë kthyer tek kthesa e “Venus”, tek rrethi i Shkozës, dhe më pas janë drejtuar drejt Farkës ku kanë djegur automjetin.
Raportohet se brenda automjetit nuk është gjetur arma me të cilën është kryer ekzekutimi. Policia e Shtetit po vijon këqyrjen e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe kapur atentatorët.
Klajdi Prendi ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi. Ai rezulton një emër i njohur për policinë pasi, në prag të zgjedhjeve të 14 majit të vitit 2023, u përfshi në një konflikt për motive politike në Pukë, ku u akuzua se qëlloi në ajër me armë zjarri. /Telegrafi/