Site icon Telegrafi

E përjashtuara

Rishi Sunak ka ardhur në postin e kryeministrit si rezultat i krizës – brenda partisë konservatore – të shkaktuar nga Brexit-i. Tashti, gjithnjë e më shumë është duke u parë se kjo qeveri dhe ky kryeministër janë në krizë serioze.

Kriza është thelluar sidomos me veprimet e sekretares së Brendshme, Suella Braverman, të cilën – sot në mëngjes – Rishi Sunak u detyrua ta përjashtojë nga Qeveria. Në realitet, njerëzit sikur Suella Braverman as që është dashur të jenë në qeveri, por ja që kriza e solli dhe tashti edhe e largoi.

Pikëpamjet e saja raciste ndaj emigrantëve, Suella i ka shprehur qëmoti, por në mënyrë më të hapur e bëri ndaj shqiptarëve të cilët ajo i quajti kriminelë. Pastaj, me këtë qëndrim vazhdoi kundër të gjithë emigrantëve, edhe pse prindërit e saj kanë qenë të tillë.

Kulmi i budallallëkut të saj të rrezikshëm erdhi kur para disa ditësh e urdhëroi shefin e Policisë britanike që t’i ndalonte demonstratat pro-palestineze në Britani, të cilat ishin aq masive saqë rrallë ishin parë – me këtë numër – ndonjëherë në këtë vend. Shefi i policisë u përgjigj me “Jo, nuk marrë urdhra nga ti. Punoj sipas ligjit, dhe ligji nuk i ndalon demonstratat paqësore, sidomos kur policia ka informata se nuk planifikohet dhuna”.

Kjo e egërsoi edhe më shumë Suellën. Përkundër kësaj përgjigje adekuate, ajo e vazhdoi qëndrimin që pa asnjë dyshim kaloi në islamofobi. Madje, shkoi aq larg sa që në demonstratat e mëdha të së shtunës, i inkurajoi elementet e së djathtës ekstreme që të dilnin kundër demonstratës, ku treguan dhunë, ndërsa policia u detyrua t’i arrestonte më shumë se 100 prej tyre.

Përkundër kritikave që mori për këtë qëndrim dhe thirrjeve për dorëheqje, kryeministri Sunak nuk e shihte të arsyeshme që ta largojë. Kështu ishte deri sot në mëngjes kur shtypi, televizionet, intelektualët, politikanët (përfshirë ata të partisë së saj), dolën me presion të madh dhe Sunaku – punën e parë që e bëri sot në mëngjes – ishte përjashtimi i Suellës nga Qeveria.

Një punë tjetër të mirë Rishi Sunak do ta bënte kur do ta përjashtojë edhe veten.

 

Exit mobile version