Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët të dy presidentëve, Hashim Thaçit dhe Filip Vujanoviq për Demarkacionin, i ka hapur rrugë ratifikimit të kësaj marrëveshje.
Lidhur me këtë marrëveshje liderët e partive politike janë takuar me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ku pjesë e këtij takimi ka qenë edhe presidenti Hashim Thaçi.
Në këtë takim partitë politike kanë paraqitur qëndrimet e tyre rreth Demarkacionit.
“I kemi prezantuar qëndrimet tona në raport me Demarkacionin dhe marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë për Telegrafin, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.
Sa i përket mundësisë së mbajtjes së seancës së Kuvendit për ratifikim të kësaj marrëveshje, nesër apo pasnesër, Kusari-Lila tha se ka mundësi mirëpo nuk është caktuar ende.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë për Telegrafin se gjasat e mbajtjes së seancës për Demarkacion, janë pas festës së pavarësisë.
“Nuk e besoj se do të ketë seancë nesër apo pasnesër, besoj që seanca do të jetë pas pavarësisë”, u shpreh Ahmeti.
Ndryshe në media është raportuar se seanca plenare e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Demarkacionit mund të mbahet të dielën para seancës solemne për 10 vejetorin e pavarësisë. /Telegrafi/