Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli, ku i dyshuar është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Në njoftimin e bërë nga Gjykata thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës.
“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton Gjykata.
Ndryshe, familjarët e Liridona Ademaj-Murseli që u vra mbrëmjen 29 nëntorit, kanë bërë kërkesë për zhvarrosjen e turpit të vajzës së tyre dhe të njëjtën ta varrosin në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj.
“E nderuar prokurore, kërkojmë nga ju që të na mundësoni që turpin e vajzës sonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj. Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër i rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë me shumë vështirësi por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, thuhet në kërkesën e familjarëve të Liridonës.
Për vrasjen e Liridones ka pasur reagime të shumtë, ku edhe u kërkua që autorët e krimit të dalin para drejtësisë./Telegrafi/