Xherdan Shaqiri është njëri nga lojtarët më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, pasi ka arritur të fitojë tituj të rëndësishëm në karrierën e tij.
Ylli kosovar deri më tani ka marrë shumë vendime në karrierën e tij, por më të rëndësishmin pritet ta marrë pas kampionatit evropian, të vazhdoi të mbetet pjesë e shtetit që i dha gjithçka në jetë Zvicrës, apo t’i bashkohet vendlindjes së tij, Përfaqësueses së Kosovës.
Ditë më parë Shaqiri dha një deklaratë duke thënë se ndihet mirë te Zvicra dhe se momentalisht nuk ka se çka të diskutohet, por çfarë do të ndodh pas evropianit?
Atëherë Xherdani pritet të marrë vendimin më të madh në jetën e tij, t’i japë lamtumirë Zvicrës apo t’i qëndrojë ende besnik.
Telegrafi ka mësuar se çfarë ka në mendje të bëjë Xherdan Shaqiri.
Ata kanë konfirmuar vetëm një gjë që e dinë të gjithë se Xherdani e do shumë vendin e tij dhe do të vendosë vetëm pas Kampionatit Evropian.
Burime tona pranë lojtarit kanë bërë me dije se ai do të linte shumë gjëra në rast se do të kthehet në Kosovë.
Xherdani përveç pagës marramendëse që merr në Stoke City, ai paguhet miliona euro nga kompanitë zvicerane për marketingun që i bënë atyre.
Por në rast se do të largohet, Shaqirit do t’i prishen kontratat me firma gjigante si, Hublot, Athleticum, Arosa, Volkswagen, Nike, Coca Cola dhe të tjera dhe ardhja e tij në Kosovë do të thotë një sakrificë e madhe, pasi përpos tij ai mund të sakrifikojë edhe familjen e tij.
Kujtojmë që ylli gjilanas është edhe fytyra e FIFA-s për Zvicër.
Xherdani pritet të marrë një vendim përfundimtar pas përfundimit të Evropianit, ndërsa çfarëdo që të ndodhë, ai ka treguar edhe gjithmonë rrënjët e tij duke mos i mohuar asnjëherë ato dhe duke u ndjerë krenar për Kosovën.
Marketingu më i mirë i yllit gjilanas ishte në finalen e Ligës së Kampionëve, kur shpalosi flamurin e Kosovës dhe ai gjest i Xherdanit është përshëndetur nga të gjithë.
Xherdan, vendos me zemër, Kosova të pret. /Telegrafi/