Telegrafi

E ndihmoi të largohej pas vrasjes, shoqërohet shoku i Habib Rexhës

Policia shqiptare ka shoqëruar një tjetër person për vrasjen e Arian Gosës, pasditen e së dielës në Kavajë.  

Klan News raporton se bëhet fjalë për Ervis Kurtin, shokun e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, 31-vjeçarit Habib Rexha.

Kurti është ndaluar pas dyshimeve se ka ndihmuar 31-vjeçarin të largohej pas krimit.

Vetë ky i fundit, në dëshminë e dhënë para hetuesve, tha se kishte qenë shoku i tij që e kishte shoqëruar me makinë drejt Kukësit.

Habib Rexha, në dëshminë e tij raportohet të jetë shprehur se e vrau Arian Gosën nga gjaknxehtësia.

Rexha ka thënë se armën me të cilën kreu krimin e mbante me vete. Ai e ka parë viktimën e tij rastësisht në kafe dhe më pas ka vepruar nga gjaknxehtësia.

Pas kësaj është larguar bashkë me një shok nga Durrësi në drejtim të Kukësit.

“Isha pranë një kinkalerie bashkë me një shokun tim. Pashë që shënjestra ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. U largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim të Kukësit”, u shpreh ai para hetuesve.

Kujtojmë që Rexha u vetë-dorëzua ditën e sotme me vullnet të lirë dhe pas kërkesës së familjes. Ai qëndroi 2 ditë në arrati pasi vrau Arian Gosën në një lokal të Kavajës pasditen e së dielës.