Site icon Telegrafi

“E natyrshme, bashkëpunim i ngushtë”: Çka sinjalizon vizita e Hamzës në Shtëpinë e Bardhë?

Si “krejt të natyrshme” dhe “bashkëpunim i ngushtë” i përshkruan kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, takimet e tij me zyrtarë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai thotë se ato janë si rezultat i bashkëpunimit që kishte pasur gjatë kohës sa shërbente si ministër i Financave – gjatë viteve 2011-2013 dhe 2017-2020 – dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës – gjatë viteve 2013-2017.

“Ndërsa, kësaj radhe, jam duke e zhvilluar këtë vizitë zyrtare në kapacitetin tim si i nominuar për kryeministër dhe si kryetar i Mitrovicës së Jugut”, thotë Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Për drejtorin e Grupit të Ballkanit për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, koha e mbajtjes së këtyre takimeve “është me rëndësi” dhe paraqet një zhvillim të ri për shkak se ndodh pas disa mosmarrëveshjeve mes Kurtit dhe Perëndimit.

“Veçanërisht është si zhvillim i ri për faktin që [Hamza] është lider i opozitës që takohet në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo nuk ndodh shpesh”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Që nga ardhja e tij në pushtet, Kurti e ka vizituar SHBA-në disa herë, por nuk ka vizituar Shtëpinë e Bardhë. Për herë të fundit, ai u shoqërua nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në shkurt të këtij viti, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kurti kishte bërë vizitë zyrtare në SHBA edhe gjatë muajit prill – për funeralin e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright – dhe në maj të vitit 2022, kur ishte takuar me shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar atje dhe me disa kompani të ndryshme.

Lexo po ashtu Hamza në SHBA: Është koha që pesë shtetet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën

Hamza ka paralajmëruar se gjatë kësaj vizite në SHBA do të zhvillojë edhe takime të tjera: në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Departamentin amerikan të Shtetit dhe me organizata joqeveritare.

Takimin e parë ai e zhvilloi më 7 gusht me asistentin e posaçëm të presidentit amerikan, Joe Biden, ambasadorin Michael Carpenter që njëherësh është drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare, dhe me drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Kathleen Larkin.

“Ambasadori Carpenter më rikonfirmoi se SHBA-ja mbështet fuqishëm Kosovën në rrugën tonë euro-atlantike. Për ta përshpejtuar këtë rrugë, Kosova duhet të mbetet partnere kredibile dhe të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj obligimeve ndërkombëtare”, tha Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Rashiti thotë se vizita e Hamzës mund të ketë pasur të bëjë edhe me urën kryesore mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – të cilën Qeveria e Kosovës po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve.

Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e urës mbi Ibër ka nxitur reagime të shumta nga Perëndimi – përfshirë paralajmërimet nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, se Kosova po rrezikon mundësitë e krijuara; dhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për masa të mëtejshme ndëshkuese.

Verën e kaluar, BE-ja kishte ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë.

Që nga viti 2021, disa veprime të Qeverisë së Kosovës – si vendosja e masës së reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse me Serbinë, mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri, shpallja e Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut si organizata terroriste – janë kundërshtuar nga SHBA-ja e BE-ja.

Këto zhvillime kanë bërë që opozita ta kritikojë disa herë Qeverinë e Kosovës për prishje të raporteve me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

Mandati i parë i Kurtit si kryeministër kishte marrë fund në mars të vitit 2020, kur deputetët kishin votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Arben Gashi, nga Grupi Parlamentar i LDK-së – partisë që ishte në koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje – kishte thënë se Kurti po e pamundësonte funksionimin e Qeverisë “përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe në veçanti me SHBA-në”.

Zgjedhjet pasuese, Lëvizja Vetëvendosje i fitoi me mbi 50 për qind të votave dhe arriti të formonte sërish Qeverinë, e cila po shkon drejt fundit të mandatit katërvjeçar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka filluar konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, duke i ofruar si data 26 janarin e vitit të ardhshëm, si dhe 2, 9 dhe 16 shkurtin./Radio Evropa e Lirë/

 

Exit mobile version