Telegrafi

E mori rrjedha e lumit Osum, vijojnë kërkimet për turistin holandez

Jules Schuurmans, turisti holandez që e mori rrjedha e lumit mbrëmjen e 8 majit në grykën e kanionit të lumit Osum së bashku me bashkëshorten e tij Helma Schuurmans, kishin shkuar për të notuar në Skrapar, por janë gjetur në një situatë ku lumi ika përfshirë në rrjedha të rrëmbyeshme.

64-vjeçarja Helma Schuurmans ka mundur të dalë nga lumi, ndërsa bashkëshortin e saj e ka marrë turbullira dhe nuk ka mundur dot të dalë jashtë. Pasi ka dalë nga uji, 64-vjeçarja Helam Schuurmans ka shkuar në Spitalin e Skraparit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e bashkëshortit të saj.

Që prej asaj nate, në zonën e kanioneve, ku edhe ndodhi ngjarja, kanë shkuar shërbimet e policisë, ato të DVP-së Berat si dhe shërbimet zjarrëfikëse, që filluan menjëherë kërkimet në lumë, kërkime që u ndërprenë atë natë rreth orës 23:30,për shkak të errësirës.

Që prej mëngjesit të djeshëm, në kanionet e Osumit në Skrapar kanë mbërritur polombarët e Repartit Special “RENEA”,të cilët po kërkojnë në ujërat e lumit trupin e turistit hollandez.

Edhe pse kërkimet e polombarëve kanë vijuar pa ndërprerje deri në orët e vona të mbrëmjes, trupi i 68-vjeçarit Jules Schuurmans nuk është gjetur ende.

Burimet zyrtare policore bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve Jules dhe Helma Schuurmans, kishin 4-ditë që kishin shkuar në Skrapar dhe qëndronin në një kamper. Të njëjtat burime konfirmojnë se 64-vjeçarja Helma Schuurmans ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.