Gjykata e Vlorës dënon me 18 vite burg Arjan Tasen, ish-policin që përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj.
Arjan Tase goditi me skaf në breg të detit vogëlushen 7-vjeçare, e cila kishte ardhur nga Mbretëria e Bashkuar për pushime me familjen e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht të vitit 2022 në Plazhin e Potamit.
Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut.
Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.
Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano, në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e përjashtoi përfundimisht nga policia.