Site icon Telegrafi

E mbani mend Pam nga “The Office”? Ajo zbulon se ishte diagnostikuar me kancer vitin e kaluar

Aktorja Jenna Fischer, e cila njihet më së shumti për rolin e Pam Beesly në serialin “The Office”, zbuloi se vitin e kaluar ishte diagnostikuar me kancer në gji.

Vendosi ta ndajë këtë informacion me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe theksoi se ka kaluar nëpër kimioterapi e se tani është mirë.

Përmes një postimi në profilin e saj në Instagram, e përshkroi me detaje diagnozën, e cila u vendos në tetorin e vitit të kaluar kur shkoi për një mamografi.

Siç konfirmoi, forma e saj e kancerit ishte agresive, por ende e shërueshme.

Në janar të këtij viti, artistja iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të indit të gjirit dhe kanceri nuk u përhap.

Për t’u siguruar që kanceri nuk do të kthehet, vendosi po ashtu t’i nënshtrohet kimioterapisë në shkurt dhe më pas rrezatimit në qershor.

“Jam e lumtur sepse mund të them se ndihem mirë”, tha ajo.

Falë parukeve dhe kapelave, arriti ta mbante sekret sëmundjen dhe vendosi të flasë publikisht për të inkurajuar të tjerët që të bënin mamografi dhe të marrin masat e nevojshme për zbulimin e hershëm të kancerit. /Telegrafi/

Exit mobile version