Telegrafi

E mbani mend hendbollistin kongolez që mahniti botën? Ai tani është më në peshë dhe vazhdon të shkëlqejë me golat e tij

Bota nuk dinte për hendbollistin Gauthier Mvumbi deri në Kupën e Botës në 2021, kur ai u paraqit para publikut të gjerë si ylli i Republikës Demokratike të Kongos dhe mahniti botën me paraqitjet e tij, pavarësisht se ishte tepër mbipeshë.

Në atë kohë, sipas informacioneve zyrtare, Mvumbi ishte vetëm 176 centimetra i gjatë dhe peshonte 89 kilogramë, por përshtypja e të gjithëve që e shikonin ishte se hendbollisti ishte shumë më i gjatë dhe veçanërisht më i rëndë se kaq, dhe supozohej se ishte rreth 190 centimetra i gjatë dhe peshonte rreth 130 kilogramë.

Tri vite më vonë, Mvumbi është ende një nga shtyllat kryesore të Kongos, e cila arriti në çerekfinale të Kampionatit Afrikan.

Tani 29-vjeçari, i cili luan për skuadrën franceze Rouen, ka dalë sërish në sy të publikut për pamjen e tij.

Domethënë ka shtuar edhe më shumë peshë, por kjo nuk e pengon që të shënojë gola nga pozicione edhe më të vështira. /Telegrafi/