CEO i Teslas, Elon Musk tha se kompania do të iniciojë menjëherë një votim të aksionarëve për zhvendosjen e kompanisë nga shteti amerikan i Delaware në Teksas, për shkak të vendimit të gjykatës për të anuluar pagesën prej 56 miliardë dollarësh për kompaninë.
“Asnjëherë mos e hapni kompaninë tuaj në shtetin e Delaware”, shkroi Musk në rrjetet sociale pas vendimit.
Në vitin 2018, kompania Tesla i pagoi në mënyrë të padrejtë shumën e përmendur CEO-së së saj, vendosi gjykata në shtetin amerikan të Delaware, duke deklaruar se ishte një “shumë e pakuptueshme” që ishte e padrejtë ndaj aksionerëve.
Never incorporate your company in the state of Delaware
— Elon Musk (@elonmusk) January 30, 2024
Vendimi do të thotë që miliarderi nuk mund ta mbajë paketën e përmendur të kompensimit, por ai ende ka të drejtë të apelojë vendimin, raporton BBC.
Drejtuesit e Tesla-s pretenduan gjatë gjyqit se kompania i pagoi Muskut një shumë të madhe për të siguruar që një nga sipërmarrësit më dinamikë në botë, do të qëndronte i përkushtuar ndaj kompanisë.
Gjykatësja Kathleen McCormick, megjithatë, deklaroi se avokatët e Tesla dhe Musk nuk mund të vërtetonin se aksionerët kishin të gjitha informacionet në dispozicion kur votonin dhe se vetë Musk kishte “lidhje të forta” me njerëzit që ishin përgjegjës për negociatat në emër të Teslas.
Aksionet e Tesla së fundmi ranë në bursë pasi kompania raportoi rezultate zhgënjyese për tremujorin e katërt të vitit 2023. Delaware është një nga vendet më tërheqëse në botë për kompanitë e të gjitha llojeve dhe madhësive për shkak të ligjeve të favorshme dhe kushteve tatimore. /Telegrafi/