“E Majta” do ta padisë kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bazë për padi sipas tyre është përgjigja që Xhaferi i ka kthyer deputetëve opozitarë mbi kërkesën për interpelancë ndaj të parit të ligjvënësit. Në kërkesën e të Majtës të cilën e mbështetë edhe OBRM-PDUKM-ja nuk është shkruar emri kushtetues i shtetit.
Sipas Borisllav Kërmovit, qëllimi i Xhaferit është shmangja nga ballafaqimi me deputetët.
“Qëllimi i tij është t’i shmanget argumenteve me deputetët. Të shtyhet interpelanca dhe në këtë mënyrë t’i humb pesha politike kërkesës tonë. Me këto veprime Xhaferi çdo ditë e shkel Kushtetutën dhe ligjet. Të drejtat e deputetëve, posaçërisht tonat si E Majtë çdo ditë shkurtohen dhe kjo paraqet vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe për këtë do të iniciojmë padi penale ndaj tij”, deklaroi Borisllav Kërmov, Deputet i partisë “E Majta”.
Kthimi i interpelancës pamundëson vendosjen e saj në njërën nga seanca e korrikut. Afatet e parapara me Rregullore nuk parashikojnë që propozimi për interpelancë i kthyer mbrapsht të mund të vendoset në rendite para 15 ditëve. E njëjta mund të shqyrtohet në njërën nga seancat e shtatorit.
“Afat për plotësimin dhe rregullimin e saj është 15 ditë, pavarësisht se neve mund ta përgatisim për një ditë. Mendoj se shansi që kjo interpelancë të gjendet në seancën e 22 korrikut është djegur”, tha Borisllav Kërmov, Deputet i partisë “E Majta”.
Opozita maqedonase motivin për interpelancë e mbështet në fjalimin e Xhaferit të mbajtur në gjuhën shqipe gjatë një vizite në Bruksel. Sipas saj, për Xhaferin gjuhë zyrtare për përdorim ndërkombëtar është maqedonishtja. Interpelanca e opozitës maqedonase nuk gjen mbështetjen e deputetëve të shumicës parlamentare dhe as të opozitës shqiptare./Alsat/