Site icon Telegrafi

E majta kosovare

Në Kosovë e majta ka një histori të saj, e cila daton që nga veprimi i saj në ilegalitet që nga periudha e ish Jugosllavisë, apo më saktësisht që nga vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Aktiviteti i saj politik ka qenë në fillim me platformën për krijimin e Republikës së shqiptarëve në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi dhe barazimin me republikat tjera përbërëse të ish federatës jugosllave, e në fazën e dytë, me shkatërrimin e Jugosllavisë, bashkimi me shtetin e Shqipërisë.

Në atë kohë koncepti i saj ka dalluar shumë nga e majta evropiane (partitë socialiste dhe socialdemokrate)k oncepti i së cilëve ka qenë angazhimi dhe përqendrimi politik në mbrojtjen e shtresave më të ulëta, shtresave sociale, shtresave punëtore e kështu me rradhë Koncepti i së majtës kosovare bazohej kryekëput në marksizëm, leninizëm, enverizëm, të rregullimit politik centralist apo diktatorial komunist ekzistuese të Evropës Lindore.

Kjo ka qenë kopje apo imitimi regjimit të atëhershëm diktatorial komunist në Shqipëri në krye me diktatorin komunist Enver Hoxhën. E majta kosovare më tutje vazhdoi me LPK-në e viteve tetëdhjeta në ilegalitet të thellë në Kosovë e sidomos në diasporë (Zvicër), viteve nëntëdhjeta del edhe një krah nga gjiri i saj, LKÇK-ja, që më vonë të dy do të jenë edhe bartës të rezistencës së armatosur (UÇK-së).

Pas luftës, e majta kosovare, edhe pse asnjëherë zyrtarisht nuk e ka marrë përsipër atë mbi vete, PDK-ja është etiketuar si e majtë, pasi që ka dalë si trashëgimtare e luftës, dhe ka qenë e njohur për një bashkëpunim të fortë me Partinë Socialiste (PS) të Shqipërisë.
Kjo për arsye, se populli shqiptar i Kosovës dhe të trojeve tjera etnike të ish Jugosllavisë, janë të njohur me koncept djathtist, që daton qysh nga themelimi i Ballit Kombëtar gjatë luftës, e pastaj mas luftës NDSH-ja (nacionaldemokratja shqiptare) si organizatë djathtiste kundër sistemit ekzistues komunist të instaluar në Kosovë, edhe pse gjatë luftës në Kosovë, në gishta janë numëruar komunistët.

Për dallim, në Shqipëri,kanë qenë më shumë, më të angazhuar dhe me ndihmën e faktorit të jashtëm arritën ta eliminojnë dhe ta zmbrapsin dhe të eliminojnë tërësisht të djathtën nga skena politike. PS dhe LSI e tanishme, si trashëgimtare e majtizmit në Shqipëri, janë të fortë, ashtu që e majta në zgjedhjet e fundit, të qershorit 2009, fitoi gjysmën e votave të elektoratit shqiptar.

Paraqitja apo formimi i Partisë Socialiste të Kosovës (PSK-së), duhet përshëndetur, e sidomos guximin e hapur të Emrush Xhemajlit, si nismëtar dhe ideator i saj, pasi që me këtë hap nisi profilizimi i partive politike në Kosovë, tani në skenën politike kosovare e kemi edhe të majtën kosovare. Edhe pse unë do të thosha, se kjo u bë në mënyrë direkte apo indirekte në bashkëkordinim me strukturat gjegjëse të PDK-së, pasi që me këtë hap definitivisht PDK-ja lirohet apo zhveshët nga koncepti i saj majtist, pasi që gjithherë ajo ka qëndruar mbi supet e saja që nga formimi i saj, pasi që themeluesit dhe iniciatorët e formimit të saj me dekada kanë pas koncept dhe të njohur si majtist.

Tani, lirisht mund të profilizohen si parti e qendrës së djathtë. Por tani i mbetet PSK-së dhe kreatorit të saj Emrush Xhemajlit se sa do të mund të avancojë, zgjerojë dhe të forcojë të majtën kosovare, të afrojë rreth vetes edhe figura dhe personalitete të njohura nga gjiri i PDK-së si majtistë të shquar.

Sido që të jetë, duhet përgëzuar Emrush Xhemajlin si iniciator për profilizimin e partive në skenën politike kosovare, e sidomos në themelimin e të majtës kosovare. Duke marrë parasysh që e majta në Shqipëri ka një traditë më të gjatë (PS-ja dhe LSI-ja), atëherë edhe në Kosovë mund të zhvillohet e majta kosovare, se sa do të ketë sukses dhe rezultat do të dëshmojë periudha që pason, e si testi i parë për PSK-në do të jenë zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009, në të cilën garon edhe ajo.

Në përfundim të kësaj analize, tani e tutje i mbetet që për të shkuar përpara, PSK-ja duhet të zhvillojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partitë simotra në rajon, në Ballkan, sikurse që është PS-ja dhe LSI-ja në Shqipëri, PDS-ja në Male të Zi, PSS-ja në Serbi, PASOK-u në Greqi, e kështu me radhë, sikurse edhe anëtarësimi i saj i plotë në Internacionalen Socialiste, pasi që e majta evropiane (partitë socialiste dhe socialdemokrate), në shtetet e Evropës janë shumë të forta dhe me një traditë të gjatë të veprimit politik sikur në pozitë njashtu edhe në opozitë.

Exit mobile version