Site icon Telegrafi

E larguan me një e-mail, Barcelona tani duhet t’i paguajë 8.5 milionë euro Matheus Fernandesit

PARTIDO

Barcelona do t’ia paguajë 8.5 milionë euro futbollistit Matheus Fernandes pas padisë së mesfushorit brazilian kundër klubit nga Nou Camp për largim të padrejtë.

Mesfushori brazilian, i cili ishte i vetmi futbollist në listën e pagave të Barçës që u largua gjatë verës së vitit 2021, ngriti një padi në të cilën kërkoi dëmshpërblim në shumën prej 14.8 milionë euro, por gjykata nuk e respektoi plotësisht argumentimin e tij për dëmin material shkaktuar nga largimi.

Në vendimin e gjykatës thuhej se mesfushori brazilian, i cili luajti vetëm 17 minuta me fanellën e Barçës, do të marrë 7.7 milionë euro dëmshpërblim dhe 810 mijë euro të tjera paga të prapambetura.

Ndeshja e vetme zyrtare e Matheus Fernandes si lojtar i Barcelonës ishte në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të luajtur kundër Dinamo Kiev në nëntor 2020, dhe më 29 qershor 2021, Barcelona njoftoi ndërprerjen e kontratës së Matheus Fernandes, duke i dorëzuar atij largimin me e-mail.

Barcelona shpenzoi 7 milionë euro për transferimin e Mateusit kur Eric Abidal ishte drejtor sportiv i klubit, por ai nuk u prezantua asnjëherë zyrtarisht, për këtë arsye u mbiquajt “Fantazma”.

Interesant është se klauzola e tij e blerjes arrinte në 300 milionë euro.

Aktualisht 24-vjeçari, Matheus po luan si i huazuar nga Palmeiras në Bragantino të Brazilit. Gjatë aventurës së tij jetëshkurtër në futbollin evropian, ai luajti si huazim nga Barca në Real Valladolid, por as atje nuk arriti të bënte përshtypje.

Matheus Fernandes e filloi karrierën në Botafogo, për të cilën debutoi në vitin 2016 dhe më pas luajti për Palmeiras, nga ku në Barcelonë. /Telegrafi/

Exit mobile version