Sami Halimi, punonjës me mbi 42 vite përvojë në NP Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A., është larguar nga puna me pretendimin se po përjashtohet padrejtësisht, pasi ka refuzuar ndryshimin e kontratës së tij nga afat i pacaktuar në një kontratë 3-vjeçare si dhe ndërrimin e pozitës.
Halimi në një deklaratë për media ka thënë se pasi është paraqitur sot në Trainkos i është ndaluar hyrja.
“Jam punëtor i hekurudhave prej vitit 1982, saktësisht më 1 shtator jam i punësuar. Jam gjenerata e dytë kësaj kompanie. Babën e kam pasur makinist. Pas vdekjes së tij jam punësuar unë si punëtor. I kam pas kontratat dhe tash i kam kontratat me afat të pacaktuar”, tha ai.
Halimi theksoi se kontrata tre vjeçare si ndërrimi i pozitës në Trainkos përbën shkelje ligjore.
“Me ardhjen e bordit në këtë pozitë më është ofruar kontrata tri vjeçare, e cila është shkelja e parë, ndërsa shkelja e dytë më është ndërruar vendi i punës. Kam qenë gjithmonë punëtor i sigurimit në tren, prej pas lufte. E më ndërrimin e vendit të punës më kanë qit punëtor i aseteve. E ndjej veten që mu ka shkel e drejta pas 42 vitesh përvojë pune, asnjë vërejtje asnjëherë se kam pas”, ka thënë Halimi.
Ai po ashtu tregoi se vendimin përmes një sms-i në telefon e ka marrë më 28.02.2025.
“Vendimin që e kam në telefon më është dhënë më 28 shkurt 2025. E tash po shkoj me marr vendimin e mu largu krejt… Tash kolegu që është këtu ku kam punuar unë tha ‘që të është ndaluar hyrja’ ”, ka thënë tutje Halimi.
Ndryshe, një ditë më parë kanë reaguar nga “Trainkos” ku kanë theksuar se punëtori në fjalë nuk është larguar nga puna, por i njëjti ka refuzuar te nënshkruaj kontratën e punës e cila ka pagën e njëjtë sikurse paraprakja por me rastin e sistematizimit i është shuar pozita e punës prandaj kontrata e re vie me terma te ri, detyra tjera të punës për pagë të njëjtë sipas Rregullores së Sistematizimit e që derivon nga pozita paraprake e punës. /Telegrafi/