Site icon Telegrafi

E lajmëruan me mesazh për tritolin, detaje të tjera nga shpërthimi i makinës në Shkodër

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja në Shkodër, ku Drejtoreshës së Drejtorisë së Shëndetit Publik, Suida Kuka iu vendos tritol në makinën e saj, paditen e së martës.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Kuka, ka marrë një mesazh në telefonin e saj, nga një numër i panjohur ku është njoftuar për lëndën plasëse në mjetin e saj.

Menjëherë pas këtij mesazhi ajo ka marrë në telefon forcat e policisë së Shkodrës, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë kërkuar evakuimin e të gjithë institucionit.

Lexo po ashtu Lëndë shpërthyese makinës në Shkodër, kryhet shpërthim i komanduar

Në dëshminë e saj në policinë e Shkodrës, Suida Kuka ka deklaruar se nuk e njeh numrin. Ndërkohë policia e Shkodrës dhe prokuroria po hetojnë edhe në lidhje me tabulatet telefonike dhe po kërkohet gjurmimi i numrit që dërgoi mesazhin.

Nga ana tjetër në dëshminë në polici, Kuka ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona te tjerë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në të gjithë lagjen “Vojo Kushi” për të parë lëvizjet e dyshimta dhe personin me motor që dyshohet se ka vendosur lëndën eksplozive.

Ende nuk ka një pistë hetimi nga ana e policisë së Shkodrës, megjithatë ajo çfarë bëjnë me dije burimet mësohet se po hetohet në lidhje me pozicionin e punës së Kukës. /Euronews Albania/

Exit mobile version