“Policia ka gjetur një këpucë në vendin prej nga u qëllua! Dyshohet se ajo mund të jetë e dorasit, të cilit i ka dalë nga këmba gjatë momentit kur po ia mbathte nga aty. Kjo duket të jetë ndër provat e vetme që ka Policia… ”!
Një delegacion i lartë, në përbërje të ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë dhe shefit të Inteligjencës, me një këpucë në dorë po shkojnë parti më parti, kompani më kompani, strukturë më strukturë, për me pa se kush e ka hupur një këpucë. Një qen nga forcat speciale të Policisë së Kosovës, duke nuhatur nëpër gjurmët kah dyshohej se ka ikur vrasësi, e gjeti një këpucë! Emri i qenit, për shkaqe sigurie, nuk u bë i ditur për publikun!
Ky ishte një lajm shpresëdhënës i cili u përhap rrufeshëm në për të gjitha mediat. Jo, nuk e kam fjalën për delegacionin! Delegacioni nuk është lajm, ai është veç një metaforë, një zhvillim imagjinar i operacioneve hetuese, duke supozuar se edhe ky rast do të përfundojë si shumë të tjera të pasluftës. Shteti do të bëjë punën e vet, natyrisht! Shteti do të pyes të gjithë me radhë! Kush e vrau, kush e vrau?
Kështu, këtë tregim për shtetin po e shkruajmë si një përrallë, se te ne përrallat i besojnë të gjithë, për dallim prej komunikatave zyrtare apo ruana Zot, prej analizave.
Pra, ky lajm për këpucën e gjetur, i shkëputur nga mediat, ju bënë të kuptoni se titulli i kolumnes time të sotme nuk ka të bëjë me përrallën e bukur, për të përhiturën! Ajo përrallë kishte një drame pak a shumë të skicuar thjeshtë dhe në fund përfundon bukur! E Përhitura e magjepsur me shkëlqimin e pushtetit dhe të vëmendjes së princit që po kërkonte nuse, vetëm kur ora ra dymbëdhjetë në sallonin e madh dhe të hareshëm, e kupton se magjia do të prishet nëse nuk ikë. Ashtu e kishte këshilluar edhe Zana e Mirë! Iku e përhitura, dhe princit i la një gjurmë! Këpucën!
Kjo Qeveri nuk po e kupton kur duhet të ikë!
Të Përhiturës, duke ikur shkallëve, i bie këpuca… dhe, në fundin e lumtur të përrallës, princi me suitën e tij shkon shtëpi për shtëpi për të gjetur se kujt i binte tamam ajo këpucë e artë. Kështu do të gjendej ajo që po kërkohej!
A do të shkojë vërtetë, ministri i Brendshëm, me suitën e tij derë më derë, për të gjetur se e kujt është këpuca e gjetur në vendin e krimit? Kush e di! Kur jemi te ministri i Brendshëm, të përmendim kalimthi se ai nuk i fitoi votat për deputet!
Pra, tashmë e dimë se këpuca nga lajmet nuk është magjike! Ajo është prodhim industrial. Punë kallëpesh! Nuk ishte mbaruar enkas për këmbën e dikujt! Kështu, me e siguri, ajo do të rehatohej në këmbën e shumëkujt po të ndodhte vërtetë që ky delegacion zyrtarësh të lartë të fillonte operacioni e koduar “Këpuca e gjetur në arë”!
Por, këpuca edhe mund të flas! Këpucët e sotme flasin para inspektorëve antikrim. Shpesh e tregojnë pronarin me emër e mbiemër. Atje ku ekziston teknikë e sofistikuar antikrim. Ato që lexojnë ADN-në!
Se, derisa ka pritur në pritë, dorasit duhet të i jenë djersitur këmbët nga stresi dhe këpuca do të ketë regjistruar ADN-në e tij!
Por, kjo këpucë, si e kuptuat, nuk duket të jetë e artë, pra nuk është e të përhiturës! Edhe pse mund të thuhet se regjistrimi i saj në listën e dëshmive të krimit, e prishi idilen kosovare të krimeve pa gjurmë, pa dëshmi! Të shpresojmë se këpuca nuk do të përfundojnë në dhomën e dëshmive! Se dhoma e dëshmive është sikur ajo dhoma ku Liza humb në botën e çudive. Gjërat zhduken prapa pasqyrës! Pra, dhomat e dëshmive, vërtetë ekzistojnë te ne! E keni kuptuar nga aferat! Por, janë dhoma që nuk dëshmojnë asgjë! Sepse dëshmitë zhduken që aty! Krejt kjo duket ende si një përrallë!
Edhe realiteti ynë pra mund të thuhet se ka shumëçka të përbashkët me përrallën. Ndërhyrja ndërkombëtare në një vend kaq të vogël dhe ekonomikisht e ushtarakisht krejt të parëndësishëm, krijoi modelin e çlirimit të popujve të vegjël dhe të pafuqishëm, të cilët keqtrajtohen nga të tjerët! Pra, një popull i cili po përpëlitej nën kthetrat e një shteti të egër, u prek me shkopin magjik të Perëndimit dhe u nxor në një gjendje jashtë rrezikut për shfarosje, me një perspektivë të qartë të pranimit në familjen e madhe të popujve nëse arrinte të konsolidohej. Deri këtu a nuk është përrallë ?!
Pra, kjo këpucë doli të jetë prova e vetme dhe shoqëria civile shpreson se ajo nuk do të dërgohet në dhomën e dëshmive, në atë dhomë prej ku janë zhdukur shumë dëshmi të cilat mund të fajësonin apo shfajësonin të dyshuarit për krime të rënda në këtë vend! Ishte zhdukur sasi e madhe parash dhe narkotikësh! Këto ditë një person ende i panjohur për opinionin dhe për Policinë e vendit dhe atë ndërkombëtare e humbi këpucën e tij në ikje e sipër! Po ikte nga vendi i krimit ku e la të shtrirë për vdekje një deputet të mundshëm të Parlamentit të ardhshëm të Kosovës. Kështu thotë policia e Kosovës!
Tash, pas kësaj që ndodhie, këpuca e humbur nuk do të na e kujtojë vetëm përrallën e famshme për të përhiturën por do të na e kujtojë brishtësinë e rendit dhe ligjit në këtë vend! Do të imagjinojmë një delegacion i cili endet derë më derë dhe do të pyes: është kjo këpuca e juaj, zotëri?
Në fund ndoshta do të dali se ajo ishte veç një këpucë e hedhur kot, atypari! Apo ndoshta ndonjë qenë endacak e ka marrë nga ndonjë oborr me deriçkë të hapur! Kujdes pronarë, mos i leni deriçkat hapur!
Qeveria fle!
Mund të ketë qenë ndonjë pamje edhe më ballkanike. Ndoshta, thjesht ndonjë burrë tradicional, në shenjë dashurie do të ketë gjuajtur fëmijët apo ruana Zot, edhe gruan e tij me këpucë!
Ndoshta… por, të mos spekulojmë! Shshshshst! Mos pengoni! Shteti po vrapon para kamerave televizive!
E ju, ju që i keni këpucët qift, futini nën kokë dhe… flini! Se… shteti është zgjuar prej gjumi!
E, hetimet? Hetimet, si zakonisht… vazhdojnë!